Lidhje

Rreziku i armëve bërthamore - 2003-04-23


Armët e shkatërrimit në masë paraqesin më shumë se kurrë një kërcënim të madh. Megjithëse njeriu e ka patur aftësinë për të shkatërruar veten që me fillimin e epokës bërthamore, ajo që e bën të sotmen ndryshe është mundësia që armë të tilla të bien në duart e shteteve të papërgjegjëshme dhe të terroristëve. Javën e kaluar, një dokumentar i shfaqur në televizionin publik amerikan, financuar nga themeluesi i CNNit Ted Turner e njeh publikun me rrezikun real të armëve biologjike, kimike dhe bërthamore. Dokumentari do të shfaqet në mbarë botën gjatë muajve të ardhshëm.

Gusht 1945. Hiroshimë, Japoni. E vetmja herë që armët bërthamore u përdorën mbi njerëzimin:

"Ishte një dritë verbuese, dhe mendova se kisha vdekur. Pastaj i dhashë lamtumirën nënës time pasi mendova se edhe ajo kishte vdekur, dhe ndërsa e bëra këtë, trupi im u hodh tej nga fuqia e erës që krijoi bomba. Mendova se ky ishte fundi i botës. Rrobat më ishin reckosur, flokët më kishin ikur. Të gjithë njerëzit rreth meje ishin lakuriq dhe të shushatur".

Michiko Yamaoko ishte 15 vjeç kur bomba atomike shkatërroi qytetin e saj Hiroshimën. Më shumë se 70 mijë njerëz u vranë menjëherë.

Presidenti amerikan Harry Truman vendosi të hedhë bombën atomike në Japoni pas refuzimit të saj për tu dorëzuar në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, numri i vendeve me armë bërthamore është rritur në tetë. Korea e Veriut mund të jetë vendi i nëntë. Ndërsa më shumë shtete pajisen me këto armë, rreziku i luftës bërthamore shtohet. Njerëzimi ishte shumë pranë kësaj katastrofe në korrik të vitit 1999.

Tensionet midis dy rivalëve bërthamorë, Indisë dhe Pakistanit lidhur me territorin e Kashmirit arriti nivele të rrezikshme në fillim të atij viti. Pakistani ndërmori një sulm të befasishëm në Kashmirin indian dhe ishte përgatitur të shkonte më tej.

Në mesin e krizës, kryeministri pakistanez Nawaz Sharif erdhi në Washington për bisedime urgjente me presidentin Bill Clinton. Presidenti Clinton e dinte se bota po përballej me mundësinë e një lufte bërthamore midis Indisë dhe Pakistanit.

"Asnjëri nuk e kishte menduar mirë si nga ana e Pakistanit edhe nga ana e Indisë, pra se sa shumë po e shtonin ata rrezikun për mbarë botën duke e përshpejtuar këtë krizë të madhe në një kohë që të dyja palët kishin arsenal bërthamor. Ideja se ato po luanin lojra me pregatitjet e raketave të tyre, ishte e tmerrshme për mua", tha presidenti.

Nën trysninë intensive të presidentit Clinton, Pakistani tërhoqi ushtrinë nga Kashmiri indian dhe bota i shpëtoi për pak katastrofës.

Ndërsa vendet me armë bërthamore mbeten një rrezik real, kërcënime të tjera më pak të drejtpërdrejta por njësoj të pabesa janë të ashtuquajturat materiale bërthamore.

Shumica e përbërësve bazë të pajisjeve bërthamore në botë, uraniumi i pasuruar dhe plutoni, gjenden në Rusi. Masat e rrepta të sigurimit mbi këto materiale nuk janë më aktive pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duke krijuar kështu një treg për terroristët që kërkojnë armë bërthamore.

Megjithatë disa vende si Kazakistani dhe Afrika e Jugut i kanë dorëzuar vullnetarisht arsenalet e tyre bërthamore. Historia na mëson gjëra të çmuara. Në Hiroshimë, Pakistan dhe Indi adoleshentët ftohen të takojnë viktimat e shpërthimit bërthamor të viti 1945 dhe të vizitojnë ndërtesat e mbetura nga shkatërrimi. Një djalë nga Pakistani tha se jeta e tij ndryshoi me udhëtimin në Hiroshimë.

"Kur isha i vogël dhe bëheshin prova bërthamore, si çdo njeri tjetër në Pakistan, isha shumë krenar. Por kur erdha këtu në Hiroshimë dhe pashë katastrofën e vërtetë, kur shkova në muzeum, atëherë ndryshova mendim. Tani jam kundër bombave atomike në botë"

Ky është pikërisht reagimi që Ted Turner shpreson të kenë shikuesit e këtij dokumentari.

//rd//

XS
SM
MD
LG