Lidhje

Grupi parlamentar i PDSH paraqit vendimin për pezullimin e punës në Parlament - 2003-04-24


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike Shqiptare, paraqiti sot në parlament vendimin për ndërprerjen e përkohëshme të punës së tij, në përputhje me moratoriumin e shpallur nga kuvendi qendror i kësaj partie pas mos-miratimit të dorëheqjes të krerëve të saj, Arbër Xhaferri dhe Menduh Thaçi.

Në bazë të këtij moratoriumi, PDSH ka pezulluar veprimtarinë e saj politike për një kohë të pacaktuar dhe ka vendosur tërheqjen e grupit parlamentar të saj nga parlamenti i vendit. Ndërkohë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht mbajtja e një takimi midis përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aleksis Bruhns dhe kryetarit të PDSH-së, Arbër Xhaferri.

Zëdhënësja e PDSH-së, Irena Guzellova nuk dëshironte të bënte asnjë koment për këtë, në pritje të konfirmimeve zyrtare për mbajtjen e takimit.

Kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferri dhe nënkryetari Menduh Thaçi u takuan dje në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, por takimi përfundoi pa asnjë rezultat.

Nga ana e tij, PPD e Abdurrahman Halitit, ka kërkuar që zoti Ahmeti të takohet edhe me krerët e kësaj partie, për të gjetur zgjidhje për krizën e krijuar.

Ndërkohë, një delegacion i lartë ushtarak i Shqipërisë po bisedon në Shkup me zyrtarë të lartë maqedonas, lidhur me bashkëpunimin ushtarak midis të dy vendeve. Delegacioni ushtarak shqiptar, i kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Pëllumb Qazimi, u takua sot me ministrin maqedonas të mbrojtjes Vllado Buçkovski dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë, gjeneral Metodi Stamboliski. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë, gjeneral major Pëllumb Qazimi, tha se bashkëpunimi midis dy vendeve është i domosdoshëm në emër të të ardhmes së përbashkët, sepse siç tha ai, të dy vendet kanë rrugë të përbashkëta.

Kryesuesi i delegacionit shqiptar vlerësoi gjithashtu se kontrolli dhe sigurimi i kufijve është punë e përbashkët dhe ka shtuar se ka mundësi për fillimin e realizimit të idesë së patrullave të përziera në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Gjeneral-major Qazimi ka thënë gjithashtu se qëndrimi i Shqipërisë është bashkëpunimi dhe integrimi dhe jo ndarja.// lk //

:

XS
SM
MD
LG