Lidhje

Ministritë irakiane gati të rihapen javën tjetër - 2003-04-24


Zyrtari më i lartë amerikan në Irak thotë se procesi i formimit të qeverisë do të fillojë nga fundi i javës së ardhshme. Gjenerali në pension, Jay Garner u tha gjithashtu gazetarëve në Bagdad se ai beson se Irani kishte rol në demonstratat e kohëve të fundit kundër Shteteve të Bashkuara.

Jay Garner tha në një konferencë shtypi në Bagdad se shpreson që nga java tjetër disa nga ministritë e Irakut të fillojnë të funksionojnë.

Zoti Garner, gjenerali në pension që ka në mbikqyrje rindërtimin e Irakut thotë se ministritë do të kenë personel irakian dhe do të drejtohen nga irakianë me ndihmën e ekspertëve të Shteteve të Bashkuara dhe të koalicionit, kur të jetë e nevojshme.

Zoti Garner thotë se procesi i një Iraku demokratik do të kërkojë kohë. “Prej 35 vjetësh Iraku ka qenë në një dhomë të errët pa drita. Dy javë më parë ne hapëm një portë dhe i nxorrëm irakianët nën dritën e diellit dhe ata ende nuk mund të shohin”, tha zoti Garner.

Zyrtarët që merren me rindërtimin thonë se në Irakun jugor po çohen 175 mijë fuçi naftë në ditë për të bërë të mundur prodhimin e energjisë në qytetin jugor të Basrës. Ata presin që nafta dhe gazi natyral të shkojë në Irakun verior brenda disa ditësh.

Zoti Garner thotë gjithashtu se beson që Irani ka pasur rol në disa demonstrata antiamerikane të kohëve të fundit, të organizuara nga myslimanët shiitë të Irakut që po përfitojnë nga klima e re e lirisë fetare pas përmbysjes së Saddam Husseinit: “Mendoj se atë demonstrata ishin shumë të organizuara. Dhe mendoj se ato kishin një ndikim të madh nga ana e Iranit. Sigurisht që nuk mendoj që ata përfaqësojnë shumicën. Unë mendoj se shumica nuk e ka ngritur zërin, pasi ndjehet e sigurt. Shumica ka ende që farë drojtjeje dhe mendoj se kur të ndjehen pak më të lirshëm, do të shihni më shumë simpati ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Ndërkohë, trupat e koalicionit kanë ndaluar tre zyrtarë të tjerë të kërkuar nga regjimi i Saddam Husseinit. Ditët e fundit janë kapur ish -shefi i shërbimit të zbulimit të ushtrisë, ish-komandanti i mbrojtjes ajrore të Irakut dhe ish-ministri i tregëtisë.

Në Gjenevë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan i bëri thirrje koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak që të respektojnë ligjin ndërkombëtar, si “forca pushtuese” në vend, siç e cilësoi ai. “Dhe duhet të dëshmojnë me veprimet e tyre se do t’i pranojnë përgjegjësitë e forcës pushtuese për të siguruar rendin publik dhe sigurinë, si edhe mirëqenien e popullsisë civile”, tha zoti Annan.

Këto komente ngjallën menjëherë reagime negative nga zyrtarët amerikanë të cilëve nuk u pëlqen cilësimi “forcë pushtuese”.

Ja ç’tha ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Kevin Moley:

“As nuk duhet të vihet në pikëpyetje, veçanërisht nga Sekretari i Përgjithshëm, që ne e bërë mjaft të qartë se po veprojmë në përputhje me Konventat e Gjenevës”, tha zoti Moley.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë gjithashtu se që pas luftës Iraku përballet me një sërë rreziqesh ambjentale. Ata kanë bërë thirrje për një vlerësim të menjëhershëm të situatës dhe një plan pastrimi për ta zgjidhur këtë problem.

//rd//

XS
SM
MD
LG