Lidhje

Ka ardhur koha që OKB-ja të heqë sanksionet ndaj Irakut - 2003-04-27


Ka ardhur koha që Kombet e Bashkuara t’i heqin sanksionet ndaj Irakut. Këto sanksione u vunë së pari si kundërpërgjigje për pushtimin e Kuvajtit nga Iraku më 1990 dhe veç kësaj për të mos e lejuar regjimin e egër të Sadam Huseinit që të përdorte fitimet nga shitja e naftës për të blerë armë të shkatërrimit në masë.

Por siç tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, regjimi i Sadam Huseinit tani i përket historisë.

“Sanksionet duhet t’i përkasin gjithashtu historisë, sepse populli irakian duhet ndihmuar. Dhe heqja e sanksioneve hap rrugën e ndihmave për popullin irakian. Kjo është gjëja e parë dhe kryesore që presidenti ka ndër mend. Sanksionet ishin një masë e marrë kundër një regjimi që nuk ekziston më.”

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara t’i japin popullit irakian mundësinë për t’u bërë zot i fateve të tij. Presidenti George Bush ka kërkuar më se dy miliardë dollarë për të ndihmuar dhe rindërtuar Irakun. Këto fonde do të përdoren për ujë, ushqime dhe barna mjekësore. Ato do të përdoren gjithashtu për të riparuar infrastrukturën e lënë pas dore apo të dëmtuar, për rivendosjen e shërbimeve qeveritare dhe për t’i mbajtur shkollat hapur.

Shtetet e Bashkuara po ashtu vunë në dispozicion më se 600 mijë tonë ushqime për popullin irakian. Sasi të mjaftueshme ushqimesh janë dërguar nga Shtetet e Bashkuara për të ushqyer një milion e gjysmë irakianë për një muaj.

Shtetet e Bashkuara shkuan në Irak për të çarmatosur Sadam Huseinin. Ky mision u plotësua. Por siç ka thënë presidenti Bush, “Ne do të shkojmë në Irak për t’u siguruar që të uriturit të kenë të hanë. Ata që kanë nevojë për mjekime të kenë kujdesin shëndetësor. Fëmijët që kanë nevojë për arsim të shkojnë nëpër shkolla.”

Por që Iraku të rimëkëmbet plotësisht, duhen hequr sanksionet ekonomike. Paratë nga shitja e naftës irakiane i përkasin popullit irakian. Vetë burimet e Irakut mund të jenë themeli për rindërtimin e vendit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që OKB-ja do të ecë në drejtimin e duhur.

//ze//

XS
SM
MD
LG