Lidhje

FMN e kënaqur nga ecuria makroekonomike e Shqipërisë - 2003-04-29


Si ministri shqiptar i Financave, Kastriot Islami ashtu dhe përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë shprehur të kënaqur nga ecuria makroekonomike e vendit gjatë tre muajve të parë të këtij viti.

Sipas Ministrit të Financave, objektivat realistë, kryerja me shpejtësi e reformave strukturore dhe institucionale, dhe realizimet në mënyrë të kënaqshme të synimeve për tremujorin e parë janë faktorë që garantojnë zhvillimin e qëndureshëm ekonomiko-social.

Megjithatë të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e stabilitetit të brendshëm politik dhe të përmirësimit të parametrave në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës dhe shmangies fiskale.

Drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Hossein Samiei, tha se parashikimi për situatën makroekonomike mbetet subjekt i disa rreziqeve që mund të lindin nga pasiguria e jashtme dhe vonesat e mundshme në reformat e rëndësishme.

Dy rreziqet kryesore vijnë nga ambienti i jashtëm, për shkak të dobësisë së ekonomisë ndërkombëtare e cila mund të ndikojë eksportet shqiptare, dërgesat e emigrantëve, si dhe dërgesat zyrtare. Ndërsa situata e brendshme, shpjegoi zoti Samiei varet nga ecuria e reformave. "Përsa kohe reformat do të ecin në rrugën e duhur, si për shembull në fushën e administrimit të taksave, mundësia që të ketë probleme fiskale mbetet e ulët," tha ai.

Në diskutimet me Fondin Monetar, ka zënë një vend të rëndësishëm procesi i privatizimit. Ministri i Financave Islami shpjegoi se për Bankën e Kursimeve tashmë është realizuar reduktimi i numrit të punonjësve, informatizimi dhe lidhja "on line" e degëve kryesore, transferimi i shërbimit të pensioneve pranë ndërmarrjes Albaposta, si dhe ka filluar procesi i marketingut.

Për shoqërinë e vetme të telefonisë fikse, Albtelecom po punohet për zgjidhjen e problemeve financiare dhe ligjore. Kështu shumë shpejt pritet të zgjidhet kontrata me kompaninë New World Telecom, e firmosur tre vjet më parë. Ndërsa për kompaninë e sigurimeve Insig po realizohen hapat për fillimin e negociatave për transferimin e 40 përqind të aksioneve te IFC dhe Berzh.

Misioni i Fondit Monetar ishte në Tiranë për të parë ecurinë e programit tre vjecar për reduktimin e varfërisë nga e cila Shqipëria përfiton 38 milionë dollarë. Ky program përqëndrohet në forcimin e integritetit të institucioneve, përmirësimin e qeverisjes dhe përpjekje më të mëdha në përmirësimin e administratës së tatimeve dhe doganave. Reformat në këto dy institucione tha zoti Samiei duhet te sjellin nje rritje të eficencës, transparencës dhe në një ulje të evazionit fiskal dhe kontrabandës.

//rd//

XS
SM
MD
LG