Lidhje

Përpjekje për prodhimin e një vaksine për virusin SARS - 2003-04-29


Sindroma Akute e Rrugëve të Frymëmarrjes, SARS, vazhdon të përhapet në vende të ndryshme. Deri tani numri i të vdekurve është në mbi 300 dhe i të infektuarve mbi 5 mijë. Këtu në Shtetet e Bashkuara deri tani nuk ka patur ndonjë rast vdekje dhe numri i të infektuarve ka qënë relativisht i vogël. Por në veri të Amerikës, në Kanada, numri i të infektuarve me SARS ka arritur në 140 dhe rreth 16 pacientë kanë vdekur. Kanadaja është një nga vendet më të prekura jashtë Azisë nga virusi SARS. Por sa dihet deri sot për këtë virus dhe ku janë përpjekjet për prodhimin e një vaksine?

Virusi SARS është i familjes së viruseve korona, një virus që ka ardhur nga kafshët dhe përmes ndryshimeve që ka pësuar, është futur tek njeriu. Si një virus i ri, ai e ka gjetur sistemin imunitar të njeriut të papërgatitur.

Mbrojta e parë e organizmit nga sëmundjet virale është sistemi imunitar i ndihmuar edhe nga vaksinat. Mjekë në vende të ndryshme të botës po punojnë për ta njohur më mirë virusin SARS dhe për të bërë më në fund edhe një vaksinë ndaj tij. Por veçoria e këtij virusi për të ndryshuar formën i bën përpjekjet e tyre më të vështira.

“Deri tani kemi arritur të kuptojmë se ndryshimet e këtij virusi janë të natyrshme. Në se e krahasojmë këtë me virusin HIV, fakti që virusi korona mund të ndryshojnë strukturën gjenetike kaq shpejt, nënkupton që vaksina është e vështirë për t’u prodhuar. Por nga ana tjetër, analiza më të mira diagnostikuese mund të jenë gati për t’u përdorur pas tri ose katër javësh. Dhe kjo është një ndihmë e madhe”, thotë Majkëll Riçardson, shefi i Departamentit të Shëndetësisë në Uashington.

Një nga spitalet që po punon për një vaksinë për SARS-in është Instituti i Vaksinave dhe Terapisë Gjenetike në universitetin e Oregonit. Instituti po përgatitet tani për të marrë mostrat e para të virusit vdekjeprurës.

“Mushkëritë e të sëmurëve me Sars tregojnë se dëmi kryesor është shkaktuar më shumë nga vetë sistemi imunitar se sa nga virusi. Kjo sëmundje është shkatërrimtare jo vetëm për njerëzit që preken nga virusi, por edhe për ekonominë në gjithë botën”, thotë mjeku Xhei Nelson i Institutit të Vaksinave dhe Terapisë Gjenetike.

Pas mbërrithjes së virusit në spitalin e Oregonit, shkencëtarët thonë se do të duhet rreth një vit për të gjetur një vaksinë të efektshme.

Ndërkohë zyrtarët e shëndetësisë po paralajmërojnë publikun që të marrë masa të thjeshta për të shmangur përhapjen e infeksionit. Ndër më kryesoret është higjena dhe larja shpesh e duarve.

Sipas njohurive të dritanishme, virusi Sars merret vetem me kontakt të drejtëpërdrejtë, në se copëza nga sekrecionet e hundës ose të gojës të një të infektuari bien në kontakt me të njejtat organe të një personi tjetër. Virusi që ndodhet thjesht në lëkurën e njeriut nuk shkakton dëme në se përmes kontaktit të dorës me gojën ose hundën ai nuk hyn në organizëm. Prandaj, një masë e thjeshtë si larja e duarve është e rëndësishme.

Mjekët thonë se ndërsa maskat janë shumë të rëndësishme për mbrojtje në një mjedis ku ka persona të infektuar, si në një spital, mundësia e marrjes së virusit thjesht duke ecur nëpër rrugë është shumë e vogël, prandaj maskat nuk janë shumë të efektshme në një rast të tillë.

Specialistët po ashtu po u bëjnë thirrje njerëzve që të mos i pushtojë paniku. Sipas një studimi të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, publiku përgjithësisht mendon se virusi SARS përbën një rrezik shumë të më madh se sa paraqet në fakt ky virus. Për shembull Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dokumentuar vetëm 5 raste Sarsi të përhapura nga udhëtimet ajrore, ndonëse, që kur kjo sëmundje u shfaq për herë të parë në rajonet jugore të Kinës në nëntor të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve ka qënë rreth 20 milionë banorë.

XS
SM
MD
LG