Lidhje

Maqedoni: diplomohen 285 policë të rinj - 2003-04-29


189 policë të rinj shqiptarë pritet t’u shtohen forcave policore të Maqedonisë që nga e mërkura. Ministria e brendshme në bashkëpunim me njësinë e OSBE-së për zhvillimin e policisë do të zhvillojnë të mërkurën në Akademinë e Policisë në Idrizovë të Shkupit, ceremoninë e diplomimit të 285 kadetëve të rinj, nga të cilët 189 janë shqiptarë, 6 boshnjakë, 10 romë, 17 turq, 4 vllehë, 8 serbë dhe pjesa tjetër maqedonas. Në këtë grup, i cili është i katërti që diplomon, 11 përqind e kadetëve të rinj, janë femra.

285 kadetët e rinj që diplomohen të mërkurën, e çojnë në 811 numrin e policëve të rinj të përgatitur nga OSBE-ja dhe ministria e brendshme e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e paqes, sipas së cilës, deri në korrik të vitit 2003, një mijë oficerë të rinj policie, nga komunitetet që nuk përbëjnë shumicën e popullsisë në Maqedonisë, ose e thënë ndryshe nga komunitetet jo-maqedonase, duhet të përgatiten dhe të vendosen në terren.

Një zyrtar i OSBE-së që drejton njësinë për zhvillimin e policisë, Bart D’Hooge, ka theksuar se ky kurs ka arritur rezultate të larta. Oficerët e rinj të policisë, pasi diplomohen sot në Akademinë e Policisë, do të kenë stërvitje në terren për 6 muaj ndërkohë që do të vëzhgohen dhe vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme nga instruktorë në terren.

Ky program në terren do t’i përgatisë oficerët e rinj të policisë për provimin e tyre përfundimtar, i cili është provim shtetëror. Sipas marrëveshjes së paqes, duhet të rritet në mënyrë të konsiderushme numri i oficerëve të policisë, që vijnë nga komunitetet jo-maqedonase në këtë vend.

Kjo konsiderohet edhe si një nga masat më të rëndësishme për rritjen e mirëbesimit të popullsisë tek policia, krahas me reformimin e vetë forcave të policisë, gjë që është në vazhdim e sipër. Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka përgatitur një projektligj për dorëzimin vullnetar të armëve, i cili pritet t’i paraqitet për miratim parlamentit.

Sipas këtij projektligji, dorëzimi vullnetar i armëve duhet të fillojë në qershor, të zgjasë një muaj e gjysëm, ndërsa armët dhe municioni i mbledhur të shkatërrohen brenda 90 ditësh.//kk//

XS
SM
MD
LG