Lidhje

Presidenti Bush: SHBA do ta ndihmojnë Irakun të ndërtojë demokracinë - 2003-04-29


Presidenti Bush i siguroi irakiano-amerikanët se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin vendin e tyre dhe do të ndihmojnë për ndërtimin e një vendi paqësor e të begatë. Ishte si të thuajsh një fjalim për shpalljen e fitores, megjithëse presidenti nuk e ka shpallur zyrtarisht luftën të përfunduar.

Qindra arabo-amerikanë, shumica me lidhje me Irakun, mbushën një qendër arti të komunitetit për të dëgjuar presidentin në qytetin Dearborn, ku banon një prej komuniteteve më të mëdha arabo-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Ata brohoritën kur zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara kishin dhënë premtimin që të përmbysnin regjimin shtypës të Irakut dhe e mbajtën këtë premtim.

“Tani Amerika zotohet që ti ndihmojë irakianët të ndërtojnë një vend të begatë e paqësor dhe ne do ta mbajmë përsëri fjalën tonë.”

Presidenti tha se nuk do të jetë e lehtë dhe do të duhet kohë. Ai shtoi se regjimi i Sadam Huseinit e varfëroi vendin në shumë mënyra. Zoti Bush tha se fëmijët mbetën të uritur, ndërkohë që ndëtoheshin pallate madhështorë dhe vendi ishte i urritur për liri, ndërkohë që njihte vetëm frikën.

“Do të jetë një udhëtim i vështirë. Por në çdo hap të këtij udhëtimi, Iraku do ta ketë vazhdimisht mik popullin amerikan.”

Presidenti tha se çdo ditë e çdo orë, jeta në Irak po përmirësohet. Ai shtoi se kanë filluar përpjekjet për të siguruar burimet me rrymë elektrike dhe ujë, për rihapjen e shkollave dhe për tu siguruar që spitalet dhe klinikat kanë burimet e nevojshme.

Presidenti Bush i bëri përsëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të heqin sanksionet ndaj Irakut, madje ai riafirmoi angazhimin e Amerikës që të sigurohet që demokracia hedh rrënjë të thella në tokën irakiane. Presidenti theksoi se ata që ishin skeptik rreth luftës e kishin gabim.

“Ata e patën gabim. Dhe ne e dimë pse. Dëshira për liri nuk është pasuri e një kulture. Ajo është shpresë universale e qënieve njerore në çdo kulturë.”

Para se të mbante fjalimin, presidenti u takua privatisht me 17 irakiano-amerikanë. Ky ishte takimi më i fundit i një seri takimesh që presidenti ka pasur me amerikanë me prejardhje arabe, takime që filluan para se forcat amerikane të angazhoheshin në luftime në Irak.

//ze//

XS
SM
MD
LG