Lidhje

3 të vdekur nga një shpërthim vetvrasës në Tel Aviv - 2003-04-30


Të paktën 3 veta humbën jetën dhe rreth 35 të tjerë u plagosën në Izrael nga një shpërthim vetëvrasës në anë të detit në Tel Aviv. Sulmi ndodhi pak pas mesnate para një restoranti afër ambasadës amerikane. Ambasada nuk u dëmtua.

Sulmi pasoi një paralajmërim të grupit ekstremist palestinez, Xhihadi Islamik, për sulme të tjera kundër Izraelit, megjithë përtëritjen e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë për bisedime paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve.

Nëpërmjet një deklarate, grupi ekstremist paralajmëroi kryeministrin e sapo emëruar palestinez, Mahmud Abbaz, që të mos zbatojë planin e ri ndërkombëtar të paqes. Grupi paralajmëroi gjithashtu zotin Abbaz që të mos marë masa për shtypjen e grupeve ekstremiste, që kundërshtojnë paqen me Izraelin.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e dënoi shpërthimin, duke e cilësuar si një akt terrorizmi prej frikacakësh dhe një përpjekje për të shtypur aspiratat palestineze për një shtet të lirë e demokratik. Por zëdhënësi theksoi se sulmi nuk do të ndalonte fillimin e nismës së re të paqes.

Policia njoftoi se rreth orës 1 pas mesnate një person hodhi veten në erë para një kafeneje në anë të detit e quajtur Mike’s Place. Kafeneja, që ndodhet në pjesën jugore të qytetit afër ambasadës amerikane është një pikë popullore gjatë natës.

Shpërthimi shkatërroi pjesën e përparme të restorantit. Policia tha se sulmuesi nuk arriti të hynte në kafene. Ambulancat shkuan menjëherë në vendin e ngjarrjes.

Shpërthimi ndodhi vetëm disa orë pasi parlamenti mbështeti kryeministrin Mahmud Abbaz dhe kabinetin e tij. Në fjalimin para ligjvënësve, zoti Abbaz dënoi terrorizmin dhe u zotua të frenojë përhapjen e armëve të ndaluara.

Grupe ekstremiste si Xhihadi Islamik dhe Hamas kanë thënë se do të vazhdojnë sulmet kundër objekteve izraelite.

//ze//

XS
SM
MD
LG