Lidhje

Tarik Azizi: zëdhënës i regjimit gjakatar të Sadam Huseinit - 2003-04-30


Çdo ditë bashkëpunëtorët kryesorë të Sadam Huseinit kapen nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Për njerëzit jashtë Irakut, personi më i njohur ndër zyrtarët e kapur është Tarik Azizi, zëvendëskryeministri i Sadam Huseinit. Për vite me radhë, Tarik Azizi, me sjelljet e tij të sofistikuara dhe zotërimin e përsosur të anglishtes, shkonte në Kombet e Bashkuara dhe në vende të tjera në përpjekje për të justifikuar veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të regjimit.

Kur forcat e Sadam Huseinit pushtuan brutalisht Kuvaitin në vitin 1990, ishte Tarik Azizi ai që ngriti pretendimin e pabazë se agresioni ishte i justifikueshëm. Pas çlirimit të Kuvaitit në vitin 1991, ai u angazhua për 12 vjet në përpjekjet për të bindur botën se regjimi i Bagdatit nuk kishte fshehur armë të shkatërrimit në masë në Irak, ndërkohë që prova masive të zbuluara nga inspektorët e armëve të Kombeve të Bashkuara vërtetonin të kundërtën.

I diplomuar në fushën e letërsisë dhe arteve të bukura, Tarik Aziz u bë redaktor i gazetës së Partisë irakiane Baath në vitet ’60. Ai u përfshi në rrethin e ngushtë të Sadam Huseinit gjatë ngritjes së përgjakshme të diktatorit në pushtet. Tarik Azizi u emërua ministër informimi në vitin 1974 dhe ministër i jashtëm në vitin 1979, dhe i qëndroi në krah Sadam Huseinit kur pushtoi Iranin dhe kreu një numër krimesh lufte, përfshirë edhe përdorimin e gazit helmues. Ai ishte atje kur forcat e Sadam Huseinit vranë dhjetëra mijëra kurdë në fund të viteve ’80. si dhe kur për tre dekada me radhë irakianë të panumërt u burgosën, u torturuan, u gjymtuan, u përdhunuan dhe u ekzekutuan pasi u përpoqën të ushtrojnë të drejta bazë.

Por Tarik Azizi, njeriu i arsimuar që kishte aq dëshirë të recitonte Shekspirin, nuk kishte asgjë për t’i thënë botës lidhur me krimet e regjimit të Sadam Huseinit. Puna e tij ishte të ndihmonte për t’i mbuluar këto akte. Puna e këtij njeriu të besuar dhe të privilegjuar ishte të vepronte si zëdhënës i Sadam Huseinit, si fytyra njerëzore e një regjimi keqdashës.

Tani Tarik Azizi ka humbur punën dhe është ndaluar së bashku me një numër gjithnjë në rritje kriminelësh të tjerë të regjimit të Sadam Huseinit. “Hap pas hapi,” siç u shpreh presidenti Bush, qytetarët e Irakut “po rimarrin atdheun e tyre. Ata po identifikojnë ish-zyrtarë që janë fajtorë për krime.”

Por kjo s’është e gjitha. Me ndihmën e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, irakianët po punojnë për të ngritur një qeveri të re bazuar në parimet demokratike, jo në gënjeshtra dhe shtypje. Ata po punojnë, siç ka thënë presidenti Bush, “për të ndërtuar një qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin irakian.” //ad//

XS
SM
MD
LG