Lidhje

Hartmann: sistemi gjyqësor në Kosovë ka nevojë për më shumë mbështetje - 2003-04-30


Lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë duket se do të jetë një sfidë e vështirë. Grupet e krimit të organizuar, ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit të dala nga konflikti, po përpiqen të shfrytëzojnë boshllëkun e krijuar për të shtrirë ndikimin në të gjithë shoqërinë. Prokurori ndërkombëtar, Michael Hartmann, thotë se deri tani në këtë luftë është arritur një farë përparimi, por sistemi gjyqësor në Kosovë ka nevojë për më shumë mbështetje.

Katër vjet pas konfliktit, Kosova përballet me një problem të ri dhe të një natyre tjetër: krimi i organizuar. Shumë grupe kriminale janë të interesuara që në Kosovë të mos ketë një qeveri demokratike të qendrueshme. Zoti Hartmann, i cili qysh prej tre vjetësh punon si prokuror ndërkombëtar në Kosovë, është i vetëdijshëm për këtë rrezik.

"Nëse në Kosovë ekziston një qeveri demokratike e centralizuar që funksionon mirë, krimi i organizuar ka më pak rast për të vepruar. Në kushte të tilla, kontratat do tu shkonin kompanive që e meritojnë dhe ajo atyre që paguajnë rryshfete, pjestarët e krimit të organizuar do të kishin më pak mundësi të korruptonin për shembull një polic që ai t’i lejonte ata të merreshin lirisht me trafikun e vajzave apo të drogës. Grupet e krimit të organizuar e ndjejnë boshllëkun dhe përpiqen të qendrojnë në fuqi. Prandaj ne duhet të kemi mjetet për tu kundërpërgjigjur. Kosova i ka krijuar mjetet por i është dashur një farë kohe për ta bërë këtë", thotë zoti Hartmannn.

Dhe gjatë kësaj kohe, grupet kriminale kanë krijuar mbrojtjen e tyre. Në kushtet kur ekonomia është informale, pra me para në dorë, pastrimi i parave është më i lehtë. Është një situatë tipike për vendet që kanë dalë nga konflikte ose nga kriza të gjata. Zoti Hartmann beson se në Kosovë kjo gjendje dalngadalë po ndryshon.

"Disa biznese kanë filluar të pranojnë karta krediti, me të cilat transaksionet lënë gjurmë. Sa më shumë dokumente të ketë qeveria për transaksionet financiare, aq më në gjendje do të jetë ajo të kryejë hetime dhe të përcaktojë nëse njerëzit i paguajnë taksat dhe nëse paratë janë fituar me mënyra të ligjshme".

Është shumë e vështirë për të gjetur prova që do të hidhnin dritë mbi pastrimin e parave në Kosovë. Por zoti Hartmann nuk ka dyshim se në Kosovë ashtu si në pjesë të tjera të Ballkanit ky lloj krimi ekziston. E keqja është kur ky lloj krimi prek sferat e larta të qeverisjes.

"Nuk mund të komentoj për hetime që pritet të kryhen dhe që unë mund të kem dijeni. Por do të thosha se krimi i organizuar ka përdorur fijet e tij për t’u shtrirë në çdo aspekt të shoqërisë kosovare. Kjo do të thotë se grupet e krimit të organizuar, ashtu siç përdorin kërcënimet dhe pagesat për të korruptuar njerëzit e biznesit ashtu veprojnë edhe me disa njerëz të qeverisë. Këtë ai e bën në dy mënyra: së pari përmes korrupsionit dhe këtë e di nga disa raste që i kam hetuar vetë, si në nivelet më të ulta ashtu edhe në ato të larta ku bëhet fjalë për korrupsionin me anë të rryshfeteve. Së dyti, është përmes kërcënimeve, për të ndikuar në marrjen e disa vendimeve të caktuara" thote zoti Hartmann.

Nga përvoja e tij, zoti Hartmann e di se krimi i organizuar nuk njeh ndarje etnike. "Është e qartë se Shqipëria si dhe vende të tjera përreth Kosovës, përfshirë Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjen, kanë që të gjitha elementë të krimit të organizuar që bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Ne e dimë se sa e vështirë është, për shkak të luftës dhe vrasjeve gjatë konfliktit, që njerëzit e këtyre rajoneve të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Për fat të keq, kriminelët janë shembulli më i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar. Një grup i krimit të organizuar në Shqipëri bashkëpunon me krimin e organizuar në Kosovë dhe që të dy bashkëpunojnë me krimin e organizuar në Serbi dhe në Mal të Zi, sepse për elementët kriminalë nuk ka rëndësi kombësia por paraja".

Luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë e vështirëson frika e dëshmitarëve. Zoti Hartmann thotë se ndaj dëshmitarëve bëhen kërcënime dhe për fat të keq ka raste që këto kërcënime vihen në zbatim. "Ne nuk mund të mbrojmë çdo dëshmitar që del përpara gjyqit sepse nuk ka aq shumë policë për ta bërë këtë. Kjo është e vërtetë si për Kosovën edhe për Amerikës. Por ne kemi ngritur një program për mbrojtjen e dëshmitarëve i cili garanton që dëshmitarët që dëshirojnë të japin prova mund ta bëjnë këtë në mënyrë anonime, pra që identiteti i tyre të mos përmendet në gjyq. Kjo është tashmë pjesë e ligjit. Gjithashtu, sipas këtij programi, dëshmitarët të cilët dëshirojnë të mbrohen mund të veçohen nga shoqëria dhe të strehohen në objekte të veçanta. Po bëhen përpjekje madje që në disa raste dëshmitarët të transferohen në vende të tjera".

Kosova doli nga konflikti i vitit 1999 me një boshllëk institucional i cili vetëm sa ka filluar të plotësohet. Në kushtet kur mungon një shtet juridik i mirëfilltë lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë do të jetë ndër sfidat më të vështira sepse ky lloj krimi vepron në fshehtësi, përdor teknologji të lartë dhe gjen mbështetje tek forca e parasë.

//rd//

XS
SM
MD
LG