Lidhje

Festohet 1 Maji dhe harrohet varfëria dhe papunësia - 2003-05-01


Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve u përkujtua sot në Tiranë me një tubim modest të sindikalistëve në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa mijëra të tjerë ju kushtuan festimeve familjare në periferi për shkak të pushimit zyrtar.

Një grup ish-të persekutuarish politikë të vendosur pranë selisë së shoqatës së tyre, po i kërkojnë qeverisë kompensim financiar për punën e papaguar gjatë viteve të burgut në kohën e diktaturës. Ndërsa një grup nostalgjikësh të diktaturës u rrekën ta kujtojnë 1 majin në modelin e tubimeve të asaj kohe.

Jeta sindikaliste në Shqipëri prej disa vitesh shkon në përpjestim të zhdrejtë me nivelin e papunësisë dhe keqësimin e kushteve të punës në firma e kompani. Sipas një raporti të Bankës Qendrore në Parlament, papunësia është rreth 16%, por institute të pavarura studimesh pohojnë se papunësia reale është sa dyfishi i statistikave shtetërore.

Statistikat paraqesin atë pjesë të papunësisë që regjistrohet në zyrat e punës, ndërsa një pjesë jo të vogël zënë edhe të papunët e dekurajuar, të cilët në një pesimizëm të thellë, as nuk janë paraqitur pranë këtyre zyrave. Rreth 160 mijë familje mbahen nga qeveria me ndihma ekonomike modeste, gati gjysma e të cilëve janë në zonën verilindore. Varfëria e lartë flet për një pabarazi sociale nga më të mëdhatë krahasuar me vendet ish-komuniste. Sias raporti të Organizatës ndërkombëtare të punës, ILO, 10 % e familjeve të pasura zotërojnë 40 % të të ardhurave kombëtare, ndërsa 20% të familjeve kanë vetëm 5% të tyre.

Një papunësi relativisht e lartë ekziston edhe në fshat, ndonëse zyrtarisht banorët e këtyre zonave konsiderohen si të vetpunësuar. Pjesa më e madhe e emigracionit shqiptar i përket pikërisht rinisë së fshatrave, që shkojnë në shtetet fqinjë në kërkim të një jete më të mirë.

Dërgesat nga emigracioni janë burimi kryesor i jetesës për familjet shqiptare, dhe mbulojnë gjysmën e deficitit tregtar. Zyrtarët e sektorit të punësimit pohojnë se situata është më optimiste, por problemi qëndron tek mosregjistrimi i të punësuarve. Puna në të zezë është një tjetër dukuri e këtyre viteve. Pjesa dërrmuese e kompanive fshehin numrin real të punëtorëve dhe nuk u paguajnë sigurime, nën kërcënimin e largimit nga puna dhe zëvendësimit me të tjerë. Kjo gjendje ka goditur organizatat sindikaliste dhe ka zbehur përpjekjet për të mbrojtur punëtorët, ndërsa tregu i punës është tërësisht i crregulluar Afërsisht llogaritet që punojnë pa sigurime shoqërore rreth 80% e të punësuarve.

//rd//

XS
SM
MD
LG