Lidhje

Nano: Vizita e sekretarit Powell, me rëndësi historike për gjithë shqiptarët - 2003-05-02


Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano tha të premten se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell ka një rëndësi të jashtëzakonshme për gjithë shqiptarët kudo që janë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Nano e quajti vizitën një arritje të madhe në partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ai shtoi se kjo ngjarje është e rëndësishme edhe për të si kryeministër, por edhe për opozitën.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, kjo është vizita e parë e Sekretarit amerikan të Shtetit në Shqipëri. Çfarë përfaqëson kjo vizitë për ju personalisht si kryeministër, për qeverinë shqiptare dhe për popullin shqiptar?

Fatos Nano: Unë besoj së të gjithë së bashku, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët në vendet e tjera të Ballkanit dhe shqiptarët e Amerikës, e vlerësojmë vizitën e zotit Powell në Tiranë si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që shpreh një arritje të madhe në partneritetin strategjik midis të dy vendeve dhe në rrugën e Shqipërisë për t’u integruar në realitetin euroatlantik. Unë besoj se edhe për mua si kryetar i maxhorancës që qeveris Shqipërinë në vitin e gjashtë, edhe për opozitën, kjo ngjarje është një stimulim i jashtëzakonshëm në përpjekjet tona për të ndërtuar më drejt politikën e reformave, për të shtuar ritmet e realizimit të standarteve euro-atlantike edhe në qeverinë shqiptare dhe për të krijuar një konsensus politik kombëtar në dobi të përshpejtimit të ecjes sonë drejt botës moderne.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, Shqipëria i ka parë gjithmonë, ose të paktën që nga fillimi i tranzicionit Shtetet e Bashkuara si një ndër partnerët kryesorë të saj. Vendi juaj u rendit ndër të parët në mbështetje të luftës në Irak, ndërsa sot ju nënshkruat edhe një marrëveshje lidhur me Gjykatën Nërkombëtare Penale. Cila është mbështetja që qeveria shqiptare shpreson të marrë nga qeveria amerikane?

Fatos Nano: Unë besoj se progresi i Shqipërisë në përafrimin e realiteteve euroatlantike është baza mbi të cilën ne mundëm të përcaktojmë drejt edhe qëndrimet, si pjesëtarë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftë kundër terrorizmit global dhe për stabilizimin e demokracisë në një rajon me të kaluar konfliktuale si Ballkani Perëndimor. Prandaj është me rëndësi jetike që kjo vizitë e zotit Powell dhe vëmendja e qeverisë amerikane për Ballkanin dhe Shqipërinë të vazhdojë të shprehet në shtimin e bashkëveprimit, në shtimin e pranisë dhe asistencës jo vetëm të financimeve, por edhe të ekspertizës dhe të investimeve të komanive dhe agjencive private dhe shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që institucionet demokratike të vendit tim, të vazhdojnë të jenë funksionuese, në mënyrë që tregu shqiptar të bëhet atraktiv për partnerët e huaj dhe të ofrojë realitete tërheqëse si tregjet globale, në mënyrë që sipërmarrja shqiptare të vazhdojë të prodhojë për të mirën e vendit dhe të shtetasve të tij dhe prandaj unë besoj se duke prodhuar siguri tashmë edhe për të tjerët, Shqipëria paraqitet si një vend i sigurt, në rrugën e shtimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Evropën e bashkuar, me NATO-n dhe me vendet e përparuara që synojnë të stabilizojnë, progresin, paqen dhe prosperitetin në të gjithë globin.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, Sekretari Powell përmendi disa sfida, disa probleme me të cilat përballen vendi juaj, si edhe vendet e tjera në atë rajon, siç janë forcimi i shtetit juridik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. A jeni optimist se qeveria juaj do t’i përballojë këto sfida me sukses?

Fatos Nano: Qeveria që unë drejtoj ka dhënë mesazhe të forta vendosmërie dhe ka arritur tashmë rezultate mjaft premtuese në luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, korrupsionit, duke forcuar edhe sigurinë e kufijve dhe bashkëpunimin me vende të tjera të rajonit në dobi të vlerave globale për të cilat jemi të gjithë të interesuar. Unë informova Sekretarin Powell për programet tona të veprimit ekzektutiv dhe për mbështetjen politike që ato gëzojnë në mbarë shoqërinë shqiptare, për të zbatuar në javët dhe muajt që vijnë aksione të vendosura në luftë me korrupsionin, trafiqet, si dhe për të aktivizuar skema më të efektshme të bashkëpunimit rajonal dhe me agjenci të specializuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që forcojnë institucionet demokratike të vendit, forcojnë kapacitetet e administratës civile të Shqipërisë, forcojnë aftësinë tonë për të qenë bashkëveprues me agjencitë e zhvillimit dhe me institucionet që garantojnë autoritetin e ligjit, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të institucioneve shumëpalëshe me të cilat Shqipëria vazhdon të bashkëpunojë. Ne do të realizojmë në pak javë një përmirësim të planit tonë të veprimeve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe jam shumë i motivuar që ndamë të njëjtat shqetësime dhe angazhime me Sekretarin Powell për prioritetet e asistencës amerikane në këtë funksion dhe të shtimit të prezencës të agjencive të specializuara për të realizuar qëllime të përbashkëta. Unë besoj se veprimtaria jonë, suksesi ynë, i aksionit qeverisës, mbështetja e tij e gjerë në spektrin politik dhe shoqëror të vendit, në luftë kundër trafikantëve, ka qenë një nga veprimet paralajmëruese të pjesëmarrjes sonë në aksionin global të luftës kundër terrorizmit, sepse krimi i organizuar dhe terrorizmi nuk kanë atdhe dhe më vjen mirë që edhe liderët e tjerë të vendeve ballkanase që ishin sot në nënshkrimin e kartës së Atlantikut, garantuan të njëjtin reagim dhe një bashkëveprim më të frytshëm në të ardhmen, në funksion të realizimit të qëllimeve të përbashkëta euroatlantike.

XS
SM
MD
LG