Lidhje

Bush: në Irak, ka armë të shkatërrimit në masë - 2003-05-03


Presidenti Bush tha se është i sigurtë që Shtetet e Bashkuara do të gjejnë armë të shkatërrimit në masë në Irak. Presidenti vuri në dukje se Iraku është një vend i madh por ai shtoi se është çështje kohe para se të gjehen armët e ndaluara.

Presidenti i bëri këto komente në fermën e tij në Crawford të Teksasit gjatë një konference shtypi me aleatin e tij të luftës, kryeministrin e Australisë, John Howard. Në bisedimet e tyre ata diskutuan rreth rindërtimit të Irakut, luftës kundër terrorizmit, dhe kërcënimin bërthamor që përbën Korea e Veriut.

Presidenti Bush tha në konferencën e shtypit se beson që Shtetet e Bashkuara dhe Australia mund të arrijnë një marrëveshje lidhur me një traktat të tregëtisë së lirë deri në fund të këtij viti.

Presidenti Bush tha se forcat amerikane vazhdojnë të kërkojnë për armë biologjike dhe kimike në Irak. Kërcënimi se Saddam Husseini mund të ndihmonte terroristë t’i përdornin armë të tilla ishte një nga arsyet kryesore që paraqiti zoti Bush për pushtimin e Irakut.

Ndërkohë që armë të tilla nuk janë gjetur ende, zoti Bush thotë se është i sigurt se civilët irakianë do të marrin guximin dhe do t’i ndihmojnë forcat amerikane të gjejnë se ku i ka fshehur ato Saddam Husseini.

"Ai është përpjekur për një dekadë të tërë për t’u siguruar që inspektorët të mos i gjejnë ato. Iraku është një shtet me përmasat e Kalifornisë. Ai ka tunele, shpella dhe komplekse nga më të ndryshimit. Ne do t’i gjejmë ato dhe kjo është vetëm çështje kohe."

Presidenti foli në fermën e tij në Teksas, ku ai dhe Kryeministri australian diskutuan kërcënimin bërthamor që përbën Korea e Veriut dhe përpjekjet për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme. Ata dikutuan gjithashtu edhe për pengimin e terrorizmit në Indonezi.

//ze//

XS
SM
MD
LG