Lidhje

Franca përdor strategji të dyanshme ndaj Shteteve të Bashkuara - 2003-05-03


Ndërkohë që njoftohet se administrata e presidentit Bush po përpiqet të gjejë mënyra për ta dënuar Francën për kundërshtimin e saj të vendosur kundër luftës në Irak, me sa duket qeveria franceze po përgjigjet me një strategji të dyanshme.

Zyrtarët po përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por nga ana tjetër Franca vazhdon të mbështesë nisma të politikës së jashtme që nuk përputhen gjithnjë me politikën e jashtme amerikane.

Ishte presidenti francez, Zhak Shirak, që theu akullin diplomatik muajin e kaluar. Pas disa javë heshtjeje, ai i telefonoi presidentit Bush. Pas kësaj telefonate, zoti Shirak dërgoi një mesazh, në të cilin thoshte se Franca do të miratonte atë që ai e quajti një politikë pragmatike, tani që lufta në Irak thuajse ka përfunduar.

Por ndërkohë që qeveria franceze bëri thirrje kohët e fundit për pezullimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Bagdadit, ajo vazhdon të kundërshtojë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për heqjen plotësisht të sanksioneve së shpejti. Parisi vazhdon të këmbëngulë që OKB-ja të luajë një rol kryesor në Irakun e pas luftës, qëndrim ky që kundërshtohet nga Washingtoni.

Sinjali më i fundit i shprehjes së qëndrimeve të pavarura të Francës u duk këtë javë në Bruksel, ku zoti Shirak së bashku me udhëheqësit e Belgjikës, Luksemburgut dhe Gjermanisë njoftuan një bashkim të ri evropian të mbrojtjes, që ka ngjallur debate. Udhëheqësit e këtyre 4 vendeve ishin kundër luftës në Irak, gjë që ka përçarë thellë Evropën.

Kritikët mendojnë se takimi i Brukselit, ku u njoftuan plane për krijimin e një qendre ushtarake veças nga NATO-ja, krijoi përçarje të reja në marrëdhëniet evropiane dhe trans-atlantike. Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se krijimi i një selie të re ushtarake do të përbënte vetëm humbje fondesh.

Etienne de Durand është specialist i mbrojtjes në institutin francez për marrëdhëniet ndërkombëtare në Paris.

“Takimi i Brukselit pasqyron përsëri përpjekjet franceze për krijimin e një politike evropiane të ndarë nga Shtetet e Bashkuara. Veprime të tilla mund të degradojnë edhe më shumë marrëdhëniet me Washingtonin, megjithatë gjatë javëve të fundit, Franca ka ndërmarrë disa hapa për të riparuar marrëdhëniet dy-palëshe.”

Sipas një ankete të fundit të opinionit publik në Francë, 84 përqind e francezëve mendojnë se zoti Shirak kishte të drejtë që kundërshtoi luftën në Irak.

Por shumë kundërshtarë të luftës mendojnë tani se ka ardhur koha që Franca dhe Shtetet e Bashkuara të lenë mënjanë momarrëveshjet e tyre.

Diplomatë amerikanë vënë gjithashtu në dukje se Franca është historikisht aleate e Amerikës. Ata kanë përshëndetur përpjekjet e fundit të Parisit për të rregulluar marrëdhëniet me Washingtonin, por në të njëjtën kohë, thuhet se Washingtoni po shqyrton masa ndëshkuese kundër Francës për qëndrimin e saj ndaj luftës. Këto masa mund të jenë që nga pakësimi i marrëdhënieve dypalëshe deri në lënien mënjanë të Francës në procesin e marrjes së vendimeve në NATO.

Sot, thotë analisti francez de Durand, pragmatizmi në vend të ideologjive të të luftës së ftohtë mund t’i afrojë të dy vendet me njëri tjetrin. Në se Franca dhe Shtetet e Bashkuara shikojnë se interesat e tyre përputhen në çështje duke filluar nga mbrojtja e vendeve perëndimore deri tek paqja në Lindjen e Mesme, analisti parashikon që marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të kthehen në gjendjen normale relativisht shpejt.//kk//

XS
SM
MD
LG