Lidhje

Lehtësohet kthimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi - 2003-05-04


Lëvizja e qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë nisi sot të normalizohet në pikat kufitare të të dy vendeve. Por mjaft agjensi turistike dhe vetë emigrantët shprehen se situatat bllokuese në kufi mund tu krijojnë atyre probleme në kthimin për pushimet e verës.

Autoritetet greke të doganës së Kakavijës kanë punuar mbrëmë deri në orët e vona për të normalizuar lëvizjen drejt Greqisë të disa mijëra emigrantëve shqiptarë dhe të disa qindra automjeteve me të cilat ata udhëtonin. Në pikën kufitare të Kakavijës radhët sot ishin më të shkurtëra se një ditë më parë ndërkohë që edhe ritmi i emigrantëve që mbërrinin në kufi nga rrethe të ndryshme të vendit ishte më i ulët.

Mesazhet e drejtuesve të Policisë së Gjirokastrës për një udhëtim gradual drejt Greqisë fqinje të emigrantëve të kthyer për festat, duket se janë marrë në vëmendje nga familjet e migrantëve të cilët në vend të pritjeve të gjata në kufi kanë pëlqyer të shtyjnë për disa ditë udhëtimin. Por situata e përsëritur bllokuese gjatë ditës së djeshme ka kthyer shqetësimin tek vetë emigrantët për gjendjen e pikave të kalimit kufitar të të dy vendeve të cilat gjithnjë e më tepër nuk po arrijnë ti përgjigjen ritmit të lëvizjes së emigrantëve.

Aktualisht Shqipëria dhe Greqia komunikojnë mes tyre me dy pika të mëdha kufitare, atë të Kakavijës në Jug dhe të Kapshticës në Juglindje. Të dy pikat kufitare përballojnë krahas lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve edhe këmbimet tregëtare. Ndonëse në komplekset doganore në të dy anët e kufirit ka pasur dy tre vitet e fundit një seri investimesh ende pikat kufitare nuk janë në gjendje të përballojnë përpunimin e mbi 500 autoveturave në ditë dhe të rreth 3000 personave.

Autoritetet greke e kanë lidhur ngadalësimin e punës në pikat kufitare me detyrimet që kanë nga Marrëveshja e vendeve të Shengenit për kontrollin në kufi. Shqipëria dhe Greqia kanë celur mes tyre edhe dy pikëkalime të tjera kufitare, atë të "Qafëbotës" në Sarande dhe të "Tri Urave" në Përmet. Por mungesa e investimeve në to dhe gjendja e infrastrukturës bën që ato të shfrytëzohen shumë pak prej emigranëtve. Si një mundësi për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve është parë transporti detar por deri tani nuk ka hapa konkretë për mundësitë që mund tu krijohen emigrantëve për të lëvizur me tragete nga limani i Patras në Greqi drejt Sarandës apo Vlorës në Shqipëri.

Situata e këtyre ditëve në kufi shihet me shqetësim, vecanërisht nga agjensitë turistike shqiptare.Viti i shkuar ishte një përvojë e hidhur për disa mijëra emigrantë që u kthyen për pushime nga Greqia por më pas u detyruan të qëndornin me ditë në kufi për të hyrë në territorin grek. Tek agjensitë turistike egziston frika se problemet e lëvizjes në kufi mund ti detyrojnë emigrantët shqiptarë ti projetkojnë pushimet jo në atdheun e tyre duke i sjellë kështu dëme ekonomisë shqiptare në miliona dollarë.

//ss//

XS
SM
MD
LG