Lidhje

Irak: vazhdojnë gërmimet dhe nxjerrjet e eshtrave nga varret masive - 2003-05-04


Irakianët vazhduan të djelën të hapin varre masive të mbushur me eshtrat e njerëzve, që u ekzekutuan pas një kryengritjeje të popullatë shiite në vitin 1991 kundër qeverisë së Sadam Huseinit.

Ata gjetën orë dore, këpucë, rroba, plumba dhe monedha mes eshtrave. Disa nga viktimat ishin varrosur me sy të mbyllur ose me duar të lidhura. Dhjetra-mijëra shiitë dhe kurdë mendohet të jenë vrarë, kur forcat e Sadam Huseinit shtypën revoltat, pasi forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara detyruan tërheqjen e forcave irakiane nga Kuvajti në luftën e Gjirit Persik në vitin 1991.

Varri masiv i gjetur të djelën ndodhet në jug të Bagdadit. Irakianët gjetën të shtunën një varr tjetër masiv në afërsi të qytetit të lashtë të Babilonisë.

Ndërkaq, Presidenti Bush tha se është thjeshtë çështje kohe para se trupat amerikane të gjejnë armë të ndaluara në Irak. Presidenti u tha gazetarëve në fermën e tij në Crawford të Teksasit se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë, por shtoi ai, Iraku është vend i madh me tunele, shpella dhe lloj-lloj terrenesh komplekse, ku mund të fshihen armë të tilla.

Presidenti i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Australisë, John Howard.

Në bisedimet e tyre ata diskutuan rreth rindërtimit të Irakut, luftës kundër terrorizmit, dhe kërcënimin bërthamor që përbën Korea e Veriut.

Presidenti Bush vlerësoi mysafirin e tij për mbështetjen e Australisë në luftën e Irakut dhe për kontributin e mbi 2 mijë trupave australiane në atë vend.

Përveç kërkimeve për armë të shkatërrimit në masë, forcat amerikane po përpiqen të ruajnë rendin dhe qetësinë në Irak.

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur gjithashtu një plan për të përfshirë një numër vendesh në forcën ndërkombëtare stabilizuese për Irakun. Plani kërkon që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Polonia të komandojnë në sektorë të veçantë në Irak. Trupa nga të paktën 100 vende në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do të patrullojnë territorin irakian dhe do të administrojnë programet humanitare. //az//

XS
SM
MD
LG