Lidhje

Debat në parlamentin shqiptar për procesin hetimor të firmave piramidale - 2003-05-06


Komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e transparencës qeveritare mbi skemat piramidale zhvilloi të martën një nga mbledhjet më të tensionuara gjatë seancës ku dhanë shpjegime guvernatori i Bankës Qendrore, Shkëlqim Cani dhe kryetari i Bordit Mbikqyrjes te Piramidave, Farudin Arapi.

Zoti Cani kërkoi që në fillim që komentet e tij të jepeshin pa praninë e gazetarëve, për të ruajtur, sipas tij, "konfidencialitetin e klientëve të bankës për gjendjen e llogarive të tyre". Megjithatë ai tha se Banka e Shqipërise ka mbajtur gjatë vitit 96 një korrespondencë të rregullt me zyrtarët më të larte të qeverisë dhe administratës së asaj kohe. "Banka, tha ai, ruan 19 letra që u janë dërguar atëhere këtyre zyrtarëve, madje edhe të tjera që u janë nisur firmave rentiere".

Ndërsa zoti Arapi kërkoi disa herë që të hetoheshin lidhjet e zyrtarëve të asaj kohe me drejtuesit e piramidave. Ai tha se paratë e qytetarëve të investuara në skema janë mbi 800 milionë dollarë, çereku i të cilave, rreth 24%, janë tërësisht të parikuperueshme, dhe vetëm 6 - 7% vlerësohen të rikuperueshme.

"Te gjitha skemat piramidale në administrim nga ana e ish-administratorëve mashtrues kanë fshehur apo përdorur fonde financiare ne kesh jashtë kontabilitetit në favor të individëve, personave të tretë të privilegjuar, zyrtarë e politikanë të lartë të asaj periudhe; fonde financiare të kreditorëve në shumën 200 milionë dollarë" - tha zoti Arapi. Ai tha se firmat kanë bërë shpenzime të mëdha për pagat e punonjësve, favore personale dhe sponsorizime politike për zyrtarë e politikanë të lartë të asaj kohe, të cilët nuk morën asnjë mase kundër piramidave, ndonëse për rreziqet e tyre ishin njoftuar nga institucione brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë replikave nervoze me komisionin, zoti Arapi tha se kishte informacione për implikimin në to edhe për kryetarin e komisionit parlamentar, Arben Imami. Por zoti Imami i hodhi poshtë këto komente si te pavërteta.

"Asnjëherë nuk kam patur asnjë pikë kontakti me firmat piramidale, me njerëzit e tyre, me paratë e tyre”, deklaroi zoti Imami duke iu drejtuar medias dhe zotit Arapi. “Nese ju keni dokumenta, fakte e prova, hidhini këtu. Te tjerat janë insinuata që, jo vetëm nuk i shërbejnë punës, por tregojnë që ju (zoti Arapi) keni qëllime jo të mira ndaj kësaj pune" - pohoi ai.

Komisioni parlamentar për hetimin e transparencës mbi skemat piramidale u ngrit me kërkese të opozitës për të shqyrtuar se si u administruan gjate këtyre viteve pasuritë e firmave piramidale pas vitit ’97. Trauma që piramidat financiare shkaktuan mbi ekonominë dhe jetën sociale të vendit janë ende të pranishem në shumë sektorë.

XS
SM
MD
LG