Lidhje

Përfaqësues të Komisionit Evropian ne Shkup me rastin e Ditës së Evropës - 2003-05-07


Me rastin e festës së Ditës së Evropës, më nëntë maj, delegacioni i Komisionit Evropian në Shkup bashkë me Lëvizjen Maqedonase për Evropën organizojnë ngjarje dhe aktivitete të shumta kulturore. Dita e Evropës e ka zanafillën me shpalljen e Deklaratës për një Evropë të Bashkuar në vitin 1950 nga ministri i atëhershëm gjerman, Robert Shuman. Komentet e para pesëdhjetë vjetëve të ish ministrit gjerman ishin se bashkimi i kontinentit nuk do të ndodhte përnjëherë por me hapa konkretë drejt demokracisë.

Përfaqësuesi i Komisiont Evropian, Vasilis Maragos në Shkup, tha se pritet që në takimin e nivelit të lartë në Selanik, që do të mbahet nga fundi i qershorit, të merren vendime konkrete për anëtarësimin e vendeve të reja në BE. Sipas tij, pritet që edhe dhjetë vende t’i bashkohen kësaj organizate. Ai tha se BE-ja dëshiron që ta largojë mendimin e vendeve anëtare mbi “lodhjen me problemet e Ballkanit.”

Zoti Maragos tha se në takimin e nivelit të lartë të Selanikut do t'u kërkohet drejtuesve të shteteve të Ballkanit perëndimor që ta përshpejtojnë procesin e reformave në vendet e tyre për të mirën e popujve por edhe për interesin e përbashkët të vendeve të BE-së. Ai tha se qëllimi përfundimtar i procesit të stabilizim-asocimit të BE-së, është lëvizja nga stabiliteti drejt asocimit dhe nga kjo e fundit drejt anëtarësimit. Kjo, sipas delegacionit të Komisionit Evropian në Shkup, kërkon shumë mund dhe përpjekje ndërkohë që përfaqësuesit e delegacionit përsëritën se ky është qëllimi përfundimtar i organizatës.

Me rastin e Nëntë Majit, janë hapur dhe po hapen qendra të informimit nëpër komuna të ndryshme të Maqedonisë me qëllim të informimit të banorëve mbi veprimtaritë e BE-së në vend. (*kh*)

XS
SM
MD
LG