Lidhje

Policia greke arrestoi 4 shqiptarë në Athinë - 2003-05-07


Policia greke tha se ka arrestuar dje katër shtetas shqiptarë që qëndronin prej vitesh në Greqi të akuzuar si pjesëtarë të një rrjeti të shpërndarjes së drogës. Sipas të dhënave të policisë, të cilave u referohen mjetet kryesore greke të informimit, në banesat e të arrestuarve mes të cilëve dhe një grua u gjetën një sasi prej 1 kg e gjysëm heroinë, një sasi kokaine si dhe prova të tjera. Ndalimet u bënë në kryeqytetin grek Athinë por dyshohet se grupi i trafikantëve ka lidhje edhe në zona të tjera të Greqisë si dhe në Shqipëri.

Dy ditë më parë policia greke vuri në pranga afër kufirit grek me Shqipërinë një shtetase greke dhe një shqiptar të cilëve iu gjetën në autoveturën e tyre disa dhjetëra kg bimë narkotike, si dhe disa granata dhe fishekë. Në të njëjtën ditë policia shqiptare bllokoi shtatë kilogramë heroinë që po nisej nga Fieri drejt kufirit shqiptaro - grek.

Trafiku i narkotikëve po bëhet gjithnjë e më shqetësues për policitë e të dy venndeve. Rrjetet e tarfikut e kanë zhvendosur tashmë shënjestrën nga portet detare të Shqipërisë ku droga kalonte kryesisht drejt Italisë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Policia shqiptare nuk ka në këto pikëkalime mjete për të kontrolluar për narkotikët, ndërkohë që kontrollet e imta policore të udhëtarëve bëhen shkak në mjaft raste për të krijuar radhë të gjata. Afrimi i Lojrave Olimpike në Greqi ka rritur në këtë vend përmasat e trafikut të hashashit i cili transportohet kryesisht nga Shqipëria.

Ndonëse policia shqiptare shpalli pak kohë më parë një aksion kombëtar të frenimit të kultivimit të bimëve narkotike terreni gjeografik vecanërisht në Shqipërinë Jugore i favorizon fermerët që të kultivojnë këto bimë të ndaluara nga ligji. Po kështu sipas ekspertëve të policisë në mjaft zona në jug dyshohet se fshihen sasi të mëdha narkotikësh të cilat janë kultivuar gjatë viteve të shkuara.Disa raste të zbuluara në rrethin e Vlorës dhe Sarandës po provojnë se mjaft fermerë nga frika po i strehojnë sasitë e mëdha të hashashit në vende të mënjanuara larg zonave të banimit.

//ss//

XS
SM
MD
LG