Lidhje

Policia britanike ndihmon Tiranën kundër krimit të organizuar - 2003-05-09


Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve po e shtyn Shqipërinë të zgjerojë bashkëpunimin policor me vendet e rajonit dhe ato perëndimore. Një delegacion i ekspertëve të policisë britanike miratuan me autoritetet e larta shtetërore dhe policore të Shqipërisë një platformë për të bashkëpunuar në luftë kundër kriminalitetit dhe trafiqeve.

Shqipëria po përpiqet të zgjerojë bashkëpunimin policor me vendet evropiane për të mposhtur krimin e organizuar, trafiqet e drogave dhe prostitucionit. Një grup ekspertësh të policisë nga Britania e Madhe njoftuan në Tiranë hartimin e një platforme bashkëpunimi me autoritetet shqiptare për zbulimin, hetimin dhe kapjen e kriminelëve me vepra të rënda penale.

Tarik Gafur, ndihmës - komisioner i policisë metropolitane të Londrës thotë se një numër i madh i bashkësisë shqiptare në Britaninë e Madhe janë emigrantë të paligjshëm. Në këto kushte, sipas tij, ata janë nën presionin e një numri shumë të vogël shqiptarësh të përfshirë në veprimtari kriminale, ndaj po punohet që ata të ndihmohen dhe mbrohen nga kriminelët.

“Qeveria shqiptare i dha Britanisë së Madhe informacione të detajuar për individë të kërkuar nga drejtësia për krime në Shqipëri, që mendohet se jetojnë ilegalisht atje. Policia britanike po bashkëpunon me kolegët shqiptarë për t’i gjetur këta të kërkuar e t’i sjellë para drejtësisë shqiptare,” tha zoti Gafur.

Ekspertët britanikë pohuan se gjithë zyrtarët shqiptarë që takuan u shprehën të gatshëm për të bashkëpunuar mbi një platformë dypalëshe që parashikon hetime të përbashkëta ndaj krimit të organizuar. Ndërsa Londra po vlerëson dërgimin në Tiranë të një zyrtari të antikrimit për të mbështetur këtë bashkëpunim.

Ashtu si me policitë e vendeve fqinje, edhe me atë britanike në qendër të vëmendjes janë trafikimi i drogave si heroina e kokaina, armët e zjarrit në duar të organizatave kriminale, trafikimi i femrave për prostitucion dhe pastrimi i parave.

Lufta ndaj trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kërkesat kryesore që vende dhe institucione perëndimore u kanë drejtuar autoriteteve shqiptare. //ad//

XS
SM
MD
LG