Lidhje

Kryetari i PPD-së, Abdurrahman Haliti, paralajmëron se nuk do të kandidojë më për kryetar partie - 2003-05-11


Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik në Maqedoni, Abdurrahman Haliti, paralajmëroi të djelën se nuk do të kandidojë më për kryetar të partisë në Kongresin që do të mbahet më 21 qershor.

Zoti Haliti tha se kishte gabuar që kishte pranuar të zgjidhej për kryetar për së dyti. Ai u kritikua të djelën nga disa delegatë në kuvendin e partisë se ka vepruar për interesa e qëllime të tij dhe jo të partisë.

Partia është dobësuar pas zgjedhjeve të shtatorit të vitit të kaluar dhe aktualisht ka vetëm dy deputetë në Parlament krahasuar me vitin ’98 kur ajo ishte partia më e madhe shqiptare në Parlamentin e Maqedonisë.

Ndërkohë në Mavrovë përfundoi të djelën pasdite një tryezë e rrumbullakët mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ku merrnin pjesë partitë kryesore maqedonase e shqiptare dhe diplomatë perëndimorë.

Partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, u shprehën pozitivisht rreth zbatimit të marrëveshjës, ndërsa opozita, VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike Shqiptare, bënë kritika në lidhje me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë të dyja partitë kanë deklaruar se e mbështesin Marrëveshjen- kornizë të Ohrit. //az//

XS
SM
MD
LG