Lidhje

NATO: rreziqe të reja, misione të reja - 2003-05-11


Për më shumë se 50 vjet, Natoja, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, ka garantuar sigurinë në të dyja anët e Atlantikut. Por fitorja e perëndimit në Luftën e Ftohtë dhe fundi i komunizmit sovjetik nuk ia kanë ulur rëndësinë organizatës. Madje, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, trazirat e dekadës së fundit e kanë bërë të qartë se kërcënime të reja po dalin në skenë”. “Kemi parë që këto kërcënime marrin shumë forma, që nga spastrimet etnike në Ballkan e deri tek sulmet terroriste të 11 shtatorit. Për të përballuar këto kërcënime të reja, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të mbështeten në Nato dhe kështu do të veprojnë edhe në të ardhmen”.

Në një takim të nivelit të lartë në Pragë nëntorin e kaluar, përfaqësuesit e Natos miratuan pranimin e 7 vendeve të tjera anëtare: Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Zgjerimi i Natos, tha zoti Powell, do të ndihmojë që Aleanca të këtë po atë rëndësi në të ardhmen. “Një zgjerim i tillë do të ndihmojë në forcimin e partneriteteve të Natos për të mbështetur demokracinë, shtetin juridik dhe për të nxitur tregjet e lira e paqen në mbarë Evroazinë. Madje, kjo do ta bëjë aleancën më të aftë që t’i përgjigjet në mënyrë kolektive rreziqeve të reja që na dalin para”.

Të 7 vendet më të reja, të cilave u është miratuar anëtarësimi në Nato, po veprojnë tashmë si aleatë de facto duke i dhënë Natos të drejtën të fluturojë mbi hapësirën e tyre ajrore e të përdorë bazat e tyre, si dhe duke dërguar trupa për operacione paqeruajtëse në Ballkan e Afganistan. Të gjitha këto vende kanë shprehur vullnetin për të ndihmuar në fazën rindërtuese pas konflikteve dhe, siç u shpreh Sekretari i Shtetit Powell, ato kanë mbështetur fushatën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për përmbysjen e Sadam Huseinit në Irak. “Të gjitha vendet e reja që janë ftuar të anëtarësohen në Nato, dërguan oficerë ndërlidhjeje në shtabin e Komandës Qendrore në Tampa, para operacioneve që priteshin të fillonin në Irak. Disa nga këto vende kanë dhënë ndihmë ushtarake për koalicionin ndërkombëtar”.

Natoja do të vazhdojë të rritet, ndërkohë që misioni i saj për mbështetjen e paqes dhe sigurisë në botë përparon. //az//

XS
SM
MD
LG