Lidhje

Powell: Të dyja palët në Lindjen e Mesme të fillojnë kapërcimin e mospajtimeve - 2003-05-12


Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauell, diskutoi me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, në Kairo mbi planin ndërkombëtar për paqen izraelito-palestineze. Sekretari i Shtetit tha se të dyja palët duhet të fillojnë pa vonesë procesin e kapërcimit të mospajtimeve mes tyre.

Sekretari i Shtetit Pauell tha se ka ardhur koha për të shfrytëzuar momentin për arritjen e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Duke folur në Kairo pas një takimi me presidentin egjiptian Hosni Mubarak, zoti Pauell tha se Izraeli nuk është shprehur ende se e pranon planin ndërkombëtar për paqe, në të cilin parashikohet krijimi i një shteti palestinez brenda vitit 2005. Por ai tha se më e rëndësishmja është që të dyja palët të hedhin hapa pozitive drejt paqes.

“Nëse nuk fillojmë punën që tani lidhur me çështjet e sigurisë, çështje si luftën kundër terroristëve dhe terrorizmit, përmirësimin e jetës së palestinezëve, duke u rikthyer atyre mundësinë e lëvizjes, lehtësimin e lëvizjes për palestinezët nga banesat për në vendin e punës, si dhe lehtësira të tjera që ata t’i rikthehen kushteve normale; nëse nuk fillojmë të punojmë për zgjidhjen e këtyre çështjeve, nuk do të arrijmë kurrë në atë pikë, ku mund të trajtojmë çështje më të vështira, të cilat na presin në të ardhmen,” tha zoti Pauell.

Këto çështje, sipas Sekretarit të Shtetit, lidhen me të drejtën e refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në tokat e tyre si dhe statusin e Jeruzalemit.

Ai tha se, megjithëqë plani i paqes nuk parashikon hapa të ndërlikuara, përmbushja e tyre do të jetë e vështirë. Ai tha se e ardhmja mbart sfida të shumta. Zoti Pauell tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të dërgojnë vëzhgues në rajon për të ndjekur përparimin e të dyja palëve, por nuk tha nëse kjo ofertë është pranuar. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do t’u japin palestinezëve ndihma prej 15 milion dollarësh për të ndërtuar një infrastrukturë sigurimi.

Ai tha se është me rëndësi që procesi i paqes të fillojë pa vonesë, duke theksuar që synimi i parë duhet të jetë gjetja e gjuhës së përbashkët për të sheshuar dallimet mes tyre.//kk//

XS
SM
MD
LG