Lidhje

Presidenti Bush: nuk do të çuditem po qe se zbulohet që al-Qaida kishte lidhje me shpërthimet vetëvrasëse në Arabinë Saudite - 2003-05-13


Presidenti Bush thotë se nuk do të çuditej, po qe se zbulohej që terroristët e al-Qaidës ishin autorë të shpërthimeve vetëvrasëse në Arabinë Saudite, nga të cilët humbën jetën të paktën 29 vetë.

Presidenti Bush thotë se duhet të bëhen hetime të hollësishme, por e shpreh qartë se dyshon për lidhje të al-Qaidës.

”Nuk mund të them ende me siguri se përgjegjëse për shpërthimet është al-Qaida. Por nuk do të çuditesha po të ishte kështu”.

Zoti Bush foli me gazetarët ndërkohë që po inspektonte zonat e dëmtuara nga një ciklon vdekjeprurës, që goditi qytetin Pierce në shtetin Missouri, javën e kaluar. Ai tha se do të merrte më shumë informacion në lidhje me shpërthimet, pasi të kthehej në Washington dhe se do të informohej nga vetë kreu i CIA-s.

”Goerge Tenet-i i CIA-s do të më informojë plotësisht në lidhje me të dhënat që kemi. Të kthehem një herë në Washington e të shqyrtoj faktet”.

Presidenti nuk u kushtoi rëndësi pyetjeve nëse Arabia Saudite kishte bërë sa duhet për të parandaluar shpërthimet, ndërkohë që vendosmëria e tij për të gjetur përgjegjësit për sulmin ishte mjaft e dukshme.

”Do të vlerësojmë të gjitha kërcënimet. Do të marrim masat e nevojshme, por një gjë është e sigurtë: personat që vranë amerikanë dhe të pafajshëm të tjerë, do të ndiqen këmba-këmbës e do të nxirren para drejtësisë. Nuk ka rëndësi se sa gjatë merr kjo punë”.

Presidenti Bush u informua pardje për shpërthimet, ndërsa po udhëtonte në pjesën qendore të Shteteve të Bashkuara. Ndihmësit e përshkruan reagimin e tij ndaj lajmit me një fjalë: zemërim.

Shpërthimet përbëjnë sulmet e para të mëdha kundër objektivave amerikane që nga lufta në Irak. Presidenti tha se kjo duhet t’u kujtojë të gjithëve që lufta kundër terrorizmit vazhdon.

”Shpërthimet në Arabinë Saudite i tregojnë mbarë vendit se ne na duhet të vazhdojmë luftën. Dhe do ta vazhdojmë atë dhe do ta fitojmë”, tha Presidenti Bush.

Ai tha se shpërthimet vetëvrasëse duket se kanë qenë të planifikuara mirë, megjithëse vuri në dukje se nuk duhet ndonjë shumë e madhe parash për të prodhuar një makinë-bombë.

”Por nevojitet urrejtje, urrejtje në zemër dhe mospërfillje absolute për jetën e të pafajshmëve”.

Më parë, Presidenti Bush i quajti shpërthimet akte të neveritshme. Ai i tha një grumbulli banorësh në Indianapolis të shtetit Indiana se këto akte janë kryer nga vrasës, besimi i vetëm i të cilëve është urrejtja.

//ze//

XS
SM
MD
LG