Lidhje

Riadi fajëson al-Kaidën për shpërthimet e ditës së hënë - 2003-05-14


Zyrtarë sauditë po fajsojnë rrjetin terrorist al-Kaida për shëpërthimet e ditës së hënës së Riad, që sipas autoriteteve shkaktuan vdekjen e 34 vetave. Qeveria saudite thotë se sulmet janë të lidhura me një grup prej 19 operativësh të al-Kaidës, të cilët më 6 maj u angazhuan në një betejë të armatosur me policinë e Riadit. Pas betejës, policia kapi një sasi të madhe armësh dhe lëndësh plasëse, por 19 personat ikën.

Hetuesit sauditë thanë sot se po kërkojnë nëpër rrënojat e tre komplekseve të shkatërruara për të dhëna lidhur me metodat që përdoren nga këta pesona dhe identitetin e tyre. Zyrtarë amerikanë dhe sauditë thonë se personat në fjalë sulmuan rojet në hyrjen e komplekseve, hapën portat dhe iu afruan ndërtesave me makina të mbushura me lëndë plasëse, që ata shpërthyen.

Ministria e Brendshme saudite tha se edhe 5 shtetas të tjerë të huajë vdiqën sot nga plagët që morën nga shpërthimet, duke e rritur numrin e viktimave në 34, mes të cilave janë të paktën 8 amerikanë dhe 9 persona që dyshohen si autorë të sulmeve. Rreth 190 veta, shumica shtetas të huaj, u plagosën. Presidenti Bush u zotua të ndërmarrë një fushatë të ashpër për të shkatërruar grupet terroriste si al-Kaida, që dyshohen se kishin gisht në shpërthimet vdekjeprurëse të së hënës.

Presidenti Bush i cilësoi sulmet si akte të urryera të kryera nga vrasës, besimi i vetëm i të cilëve është urrejtja. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do t’i gjejnë vrasësit, të cilët theksoi ai do të mësojnë se çdo të thotë drejtësi amerikane. Byroja Federale e Hetimeve po dërgon një ekip për të ndihmuar autoritetet saudite të gjejnë personat përgjegjës për shpërthimet.

Departamenti i Shtetit ka urdhëruar gjithë personelin ndihmës të ambasadës dhe kopnsulatës amerikane të largohen nga mbretëria saudite. Princi trashëgimtar Abdullah i cilësoi autorët e shpërthimeve si kriminelë gjakpirës që kërkojnë të shkatërrojnë shoqërinë saudite.//xh//

XS
SM
MD
LG