Lidhje

Shqipëria shënon furnizimin energjitik më të lartë në dy vitet e fundit - 2003-05-18


Shqipëria arriti të sigurojë nivelin më të lartë të furnizmit me energji elektrike në dy vitet e fundit, megjithë krizën e rëndë disavjecare që kalon sistemi energjitik. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se aktualisht banorët dhe fabrikat e prodhimit furnizohen rreth 50% më shumë se një vit më parë.

Gjendja e rezervuareve në hidrcentralet kryesore të vendit është përmirësuar dukshëm, gjë që ka rritur prodhimin e brendshëm dy herë e gjysëm më shumë se vitin e kaluar, madje duke shlyer edhe një pjesë të borxheve të jashtme me energji. Specialistët e Korporatës Elektro-energjitike (KESH) pohojnë se edhe importi i energjisë elektrike është ulur deri në 5%, kur vetëm një vit më parë blerja e energjisë nga jashtë ishte manovra kryesore për të tejkaluar krizën.

INSTAT tregon se është rritur edhe përdorimi i energjisë elektrike nga familjet dhe firmat private të industrisë dhe bujqësisë që përpunojnë produkte ushqimore. Por nga ana tjetër, specialistët e KESH-it pohojnë se sic është rritur furnizimi me energji, po ashtu janë rritur edhe humbjet e saj, kur mijëra konsumatorë mbajnë lidhje të paligjshme me sistemin. Humbjet e energjisë në rrjet janë rreth 37%, ndërkohë që objektivi i reformimit të KESH është që këto humbje të jenë nën 30%.

Megjithë këto përmirësime të prodhimit dhe furnizimit, KESH njoftoi se edhe gjatë muajve të verës do të vazhdojë ndërprerjet e energjisë elektrike nga dy deri në pesë orë cdo ditë në qytete të ndryshme, diku për të ruajtur rrjetin nga zjarret dhe difektet e diku tjetër për të kujtuar qytetarët që të paguajnë fatuart disavjecare që i kanë borxh këtij institucioni.

Specialistët pohojnë se megjithë disa përmirësime sezonale, kriza energjitike vazhdon të jetë e pranishme me parametra të brishtë që mund të luhaten shpejt nga cdo e papritur. Krahas keqmenaxhimit të KESH-it, vendi ka kaluar këto vite nga thatësirat ekstreme me hidrocentrale të boshatisura, deri tek përmbytjet dramatike me diga të hapura. Ekspertët pohojnë se menaxhimi i kësaj krize deri tani ka qenë afatshkurtër, dhe se duhen programuar masa afatgjata.

//ss//

XS
SM
MD
LG