Lidhje

Paul Bremer paralajmëron për shtimin e rreziqeve ndaj shëndetit në Irak - 2003-05-18


Zyrtarë amerikanë thonë se forcat e koalicionit vazhduan sot misionet me ndihma humanitare në Irak, por një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi për shtimin e rreziqeve ndaj shëndetit për shkak të mos funksionimit të shërbimeve të domosdoshme. Krye-administratori civil amerikan për Irakun, Paul Bremer, shkoi në qytetin e Mosulit në Irakun verior për bisedime me udhëheqësit lokalë.

Në një deklaratë të Komandës Qendrore Amerikane thuhej se zyra e Pentagonit për Ndihma Humanitare dhe Rehabilitim ka filluar t’u paguajë rroga punonjësve të shërbimit civil irakian. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, burime irakiane në Bagdad thanë se rrogat po paguhen nga fondet irakiane të bllokuara nga Kombet e Bashkuara gjatë rregjimit të Sadam Huseinit. Në deklaratën e Komandës Qendrore Amerikane thuhej se të 40 qendrat e karburantit të qytetit do të hapen nesër.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Carol Bellamy, tha se Iraku i pas luftës mund të zhytet në një krizë të madhe, së cilës nuk mund t’i gjehet një zgjidhje e shpejtë për të përmbushur nevojat urgjente humanitare. Drejtoresha e UNICEF-it u tha gazetarëve se furnizimi me ujë të ndotur ka shkaktuar shtimin e epidemive të aparatit tretës.

Zonja Bellamy tha gjithashtu se një studim i Kombeve të Bashkuara tregon se 2 herë më shumë fëmijë irakianë vuajnë aktulisht nga të keqyshqyerit në krahasim me periudhën para luftës. Ajo shtoi se UNICEF-i është gjithashtu i shqetësuar se 25 përqind e fëmijëve irakinë nuk janë kthyer ende në shkollë.

//ze//

XS
SM
MD
LG