Lidhje

Izrael: Sulm i ri vetëvrasës - 2003-05-19


Policia izraelite njoftoi se një palestineze, autore e një shpërthimi vetvrasës, hodhi veten në erë dje në një qendër dyqanesh në qytetin verior izraelit, Afula, duke vrarë të paktën tre izraelitë dhe plagosur 30 të tjerë.

Grupi ekstremist palestinez, Jihadi Islamik, mori përgjegjësinë për sulmin, shpërthimi i pestë vetëvrasës kundër objekteve izraelite që prej të shtunës mbrëma. Grupi tjetër ekstremist Hamas morri përgjegjësinë për 4 shpërthimet e para, nga të cilat u vranë 9 izraelitë.

Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, e dënoi sulmin dhe i bëri thirrje Izraelit të pranonte planin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme për t’i dhënë fund ciklit të dhunës. Presidenti Bush tha se vazhdon të ketë besim që procesi i paqes në Lindjen e Mesme do të përparojë.

Po dje, një palestinez që udhëtonte me biçikletë, shpërtheu lëndë plasëse pranë një makine ushtarake në Rripin e Gazës, duke plagosur tre ushtarë izraelitë, në afërsi të vendbanimit hebraik Kfar Darom.

Tre shpërthimet e mëparshme shkaktuan vdekjen e të paktën 9 izraelitëve. Sulmi më vdekjeprurës u krye të shtunën në Jeruzalem, kur një person i veshur si besimtar hebre, hodhi veten në erë në një autobus, duke shkaktuar edhe vdekjen e shtatë izraelitëve.

Izraeli i mbylli kufijtë e tij me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, menjëherë pas shpërthimit të djeshëm. Kryeministri izraelit Ariel Sharon e shtyu udhëtimin që kishte planifikuar të bënte në Uashington për t'u takuar me presidentin Bush për bisedime mbi planin e ri të paqes për Lindjen e Mesme.

//ze//

XS
SM
MD
LG