Lidhje

Kalendari Historik,18 maj - 2003-05-19


Më 18 maj 1980 shpërtheu me forcë vullkani i Malit Saint Helens, në pjesën jugperëndimore të shtetit të Uashingtonit. Shpërthimi bëri të avullojnë më se 7 kilometra kubë dhe shkëmbinj nga maja e malit e mbuluar me dëborë, duke e ulur lartësinë e malit me 421 metra.

Shpërthimi i vullkanit rrafshoi çdo pemë në një sipërfaqe prej 310 kilometrash katrore përreth malit dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 60 vetave në atë rajon me popullsi të rrallë. Forca e shpërthimit hodhi në stratosferë gaz të mbinxehur dhe mijëra tonë hi vullkanik.

Erërat e furishme i shtynë retë që qendronin pezull në atmosferë drejt lindjes, duke zënë diellin dhe duke mbuluar me disa metra hi vullkanik pjesë të Uashingtonit lindor dhe të Montanës Perëndimore. Por shpërthimi i vullkanit pati të paktën një anë të mirë. Pasi shkatërroi të korrat e një viti, hiri vullkanik përmirësoi cilësitë e tokës në shtetin lindor të Uashingtonit, ku kultivimi i pemëve frutore përbën një degë të rëndësishme të bujqësisë.

Më 18 maj 1933 presidenti Franklin Roosevelt nënshkroi një ligj, në bazë të të cilit krijohej Autoriteti i Luginës Tenesi. Ligji parashikonte furnizimin me energji elektrike të rajoneve rurale të 7 shteteve.

Zoti Roosevelt kërkonte një plan të bashkërenduar që do të përfshinte industrializimin, ruajtjen e tokës bujqësore, ripyllëzimin dhe prodhimin e energjisë elektrike në këtë rajon të prapambetur. Ligji i ri parashikonte krijimin e një komiteti që do të administronte punimet për ndërtimin e digave dhe të hidrocentraleve në Tenesi dhe në 6 shtete të tjera jugore.

Autoriteti i Luginës Tenesei ndërtoi gjithashtu një sistem rrugësh të brendshme ujore, për të inkurajuar përdorimin e mauneve të mallrave. Autoriteti vendosi lidhje me komunitetet lokale duke shitur plehëra dhe energji elektrike të lirë dhe duke ndërtuar projekte për vaditjen dhe kullimin e tokave dhe duke përmirësuar kushtet e lundrimit në lumin Tenesi.//lk//

XS
SM
MD
LG