Lidhje

Analistët komentojnë mbi hendekun e pagave në Shtetet e Bashkuara. - 2003-05-21


Senatori amerikan Xhon Mekein, thotë se grykësia e korporatave po zemëron shumë amerikanë. Në një seancë me pyetje-përgjigje të një komisioni të Senatit mbi kompensimin për drejtuesit e kompanive, ai tha se kjo çështje është bërë një ndër shqetësimet kryesore të publikut.

Gjatë tre vjetëve të kaluara, thotë ai, qindra kompani kanë falimentuar, rreth 3 milionë amerikanë kanë humbur punën dhe aksionerët kanë humbur 7 trilionë dollarë në vlerë aksionesh.

”Megjithë këto statistika të zymta ekonomike, paga mesatare e drejtuesve të koporatave ka vazhduar të rritet dhe ne vazhdojmë të shohim shumë shembuj të shpërblimeve të majme që u jepen drejtuesve të lartë”,- thotë Senatori Mekein.

Ai foli me një numër ekspertësh gjatë kësaj seance. Shumë ranë dakord për nevojën e kryerjes se reformave lidhur me paketat e shpërblimeve për shefat e kompanive dhe drejtuesit e lartë.

Damon Silvers, i Federatës së Sindikatave të Amerikës thotë se shpërblimet për drejtuesit e kompanive në Shtetet e Bashkuara kanë qenë të krahasueshme me ato të vendeve të tjera kryesore të industrializuara në vitet ’60, por që atëherë ato anë fryrë jashtë mase.

”Sot, sigurisht që pagesat për drejtuesit e lartë janë 500 herë më të larta se ato të një punëtori të zakonshëm dhe mesatarja e shpërblimeve për shefat vazhdon të rritet, edhe pse në çdo parametër efektshmëria e korporatave po bie”,- thotë sindikalisti.

Por, Xhozef Bacelder, avokat i cili ka mbrojtur në gjyq disa shefa dhe drejtues kompanish, thotë se pagesat e tyre në të vërtetë kanë rënë vitin e kaluar dhe se rrogat e shpërblimet-shtesë janë rritur vetëm 2 për qind gjatë 5 dekadave të kaluara, po të kihet parasysh vlera e tyre reale e përshtatur me inflacionin.

Zoti Baceler thotë se shpërblimet e larta për drejtuesit diktohen nga vetë ekonomia e tregut. “Po të pyeten, shumica e shefave ka të ngjarë të thonë se faktori i vetëm më i rëndësishëm në suksesin e një kompanie në një periudhë disa-vjeçare është vetë drejtuesi i saj. Kjo është një arësye se përse drejtuesit e korporatave kanë fuqinë të diktojnë pagesën e tyre”, thotë avokati.

Ndryshe nga zoti Bacelder, kritikë të tjerë janë të një mendjeje, se shpërblimet për shefat e korporatave janë jashtë kontrollit. Si shembull ata përmendën falimentimin e kompanisë ajrore American Airlines. Sindikatat e kësaj kompanie kishin rënë dakord të paguanin koncesione dhe më pas, zbuluan se shefit dhe drejtuesve të tjerë të lartë do t’u garantoheshin shpërblime-shtesë e pensione, edhe në rast falimentimi. Drejtuesi Daon Karti dha dorëheqje për shkak të incidentit.

Kritikët theksuan gjithashtu nevojën që kompanitë të jenë të detyruara të llogarisin kompensimet që u japin drejtuesve të tyre në formë aksionesh, me vlerë më të ulët se të tregut si shpenzime. Kjo formë shpërblimi u krijon mundësi drejtuesve të blejnë apo shesin aksione me një zbritje të caktuar çmimi, brenda një kohe të caktuar. Këto pagesa-shtesë u jepen shpesh drejtuesve, si pjesë e shpërblimeve të tyre, por nuk llogariten përkundrejt të ardhurave të kompanisë.

Zoti Silvers i Federatës së Sindikatave, thotë se tregjet amerikane do të dëmtohen nga skandalet e korporatave gjatë dy viteve të fundit, nëse organizmat e cakturara, nuk ndërhyjnë.

Senatori Mekein thotë se, edhe pse Kongresi nuk është i përgatitur të veprojë tani, seanca përforcon nevojën për një përfshirje më të madhe të aksionerëve në përcaktimin e shpërblimeve për drejtuesit e lartë të kompanive.// lk //

XS
SM
MD
LG