Lidhje

Statusi i Kosovës: A ka ardhur koha për të? - 2003-05-22


Statusi përfundimtar i Kosovës ishte objekti i një seance diskutimesh në Kongresin amerikan organizuar të mërkurën nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë. Disa ligjvenës i bënë thirrje Departamentit të Shtetit që të mbështesë hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar. Sipas tyre pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme që do të ndihmojë për kapërcimin e problemeve dhe zhvillimin e Kosovës. Por përfaqësuesja e Departamentit të Shtetit theksoi se administrata amerikane mbështet politikën e tanishme ndaj Kosovës: plotësimin e standarteve para fillimit të bisedimeve për statusin.

Që me fjalimet hapëse të dy drejtuesve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, kryetarit të tij, republikanit Henry Hyde dhe demokratit Tom Lantosh u pa qartë se Departamentit të Shtetit, do t’i duhej të mbronte qëndrimin e administratës se nuk ka ardhur ende koha për përcaktimin e statusit përfundimtar për Kosovën.

“Sot Komisioni merr në shqyrtim statusin përfunditar për Kosovën. Është pavarësia rruga e së ardhmes? A ka të drejta shumica dërrmuese në Kosovë për vetë-vendosje? Është përcaktimi i statusit përfudnimtar rruga e vetme për të kapërcyer një situatë tejet të vështirë ekonomike?”, tha kryetari i komisionit Henry Hyde.

Ligjvenësit Henry Hyde dhe Tom Lantosh mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe me nxitjen e ish ligjvenësit Joe Dioguardi, që kryeson organizatën lobiste Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, ata kanë paraqitur një rezolutë në Kongres për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropën Juglindore, në këtë rajon me trazira, ne duhet t’i japim Kosovës pavarësinë dhe t’ia japim atë tani”, tha ligjvenësi Lantosh.

Këto fjalë të ligjvenësit Lantosh gjetën jehonë edhe në fjalimet e disa ligjvenësve të tjerë si Eliot Engel i Nju Jorkut dhe Dana Rohrabacher i Kalifornisë. Por administrata amerikane nuk është e këtij mendimi.

Pa lënë shteg për asnjë interpretim ose dyshim, Zëvendës Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore Janet Bogue, theksoi se Uashingtoni mbështet plotësisht politikën e tanishme të standarteve para statusit.

“Në Kosovë ka nga ata që kërkojnë pavarësi menjëherë. Në Serbi ka nga ata që kërkojnë ndarjen e menjëhershme të Kosovës. Ne i kudërshtojmë të dyja këto qëndrime. Ne besojmë se marrja e një vendimi sot për statusin përfundimtar do të rrezikonte të destabilizonte Kosovën dhe rajonin. Një zgjidhje e menjëhershme tani do të nxiste ato forca në rajon që kërkojnë zgjidhje të dhunshme”, tha zonja Bogue.

Këto komente të zyrtares së lartë të Departamentit të Shtetit shkaktuan zhgënjim tek ligjvenësit që kërkojnë zgjidhjen e statusit tani. Veçanërisht i ashpër në kritika ishte ligjvenësi Tom Lantosh.

“Prindërit nuk përgatiten që më parë për të qënë prindër, vendet nuk përgatiten që më parë për të qënë të pavarura dhe Kosova nuk bën përjashtim”, tha ligjvenësi Lantosh.

Më pas ligjvenësi Lantosh përmendi 12 shtete të vogla që janë të pavarura dhe anëtare të plota të OKB-së, megjithëse me një popullsi më të vogël se 100 mijë banorë. Ai pati këtë shkëmbim replikash me zonjën Bogue.

Tom Lantosh: “Unë jam i zhgënjyer nga deklarata juaj për qëndrimin e administratës, veçanërisht në një kohë kur ne kemi mbështetur vendet që kërkojnë pavarësi. Dua të të bëj një pyetje, si ligjvenësi që organzoi seancën e parë në Kongres për persekutimin e katolikëve në Timorin Lindor. A besoni ju se Timori Lindor është më i përgatitur se Kosova për të qënë shtet i pavarur?

Janet Bogue: “Në se më lejoni, kolegët e mi në departamentin e shtetit do të mbeteshin pa mend në se unë do të flisja për këtë vend për të cilin nuk di asgjë, por ajo që do të doja, është të flisja edhe një herë për Kosovën në se mundem dhe të thoja se ....”

Tom Lantosh: “Por siç e dini Kosova nuk ekziston në një boshllëk. Në botë sot ka mbi 200 vende të pavarura. Sapo ju dhashë një listë me 12 vende secila me më pak se 100 mijë banorë.”

Shkëmbime të tilla ishin të shpeshta në seancën e djeshme. Zyrtarja e Departamentit të Shtetit duke sqaruar politikën e administratës tha se në Kosovë janë bërë përparime jo të vogla, por jo aq sa të quhen të mjaftueshme për plotësimin e standarteve që përfshijnë krijimin e institucioneve demokratike fuksionuese, respektimin e shtetit ligjor, lirinë e lëvizjes, kthimin e refugjatëve dhe stabilitetin ekonomik. Administrata e presidentit Bush nuk e mbështet rezolutën që është paraqitur në Kongres për pavarësinë e Kosovës, pasi një gjë e tillë, siç tha zoja Bogue, do të dërgonte mesazhe të gabuara e kontradiktore në Kosovë. Rezoluta, edhe po të miratohet, nuk do të ketë fuqi ligjore, ajo është më tepër një gjest simbolik për t’i treguar administratës se në Kongres egziston mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Në seancë ishin ftuar për të dhënë mendimet e tyre edhe ekspertë të pavarur si Daniel Serwer i Institutit të Paqes, Jim O’Brien i Grupit Albright, ish i dërguar special për Ballkanin në administratën e mëparshme, Joe Dioguardi president i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare për Ballknin pranë kësaj Lige, ish ambasadori William Walker dhe Martin Vulaj drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Seanca të tilla në Kongres kanë më tepër karakter informues. Dhe siç u shpreh një prej analistëve të pavarur, Daniel Serwer i Institutit të Paqes, statusi i Kosovës nuk do të vendoset në Kongresin amerikan, por nga bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, sot në një kohë kur vëmendja e Shteteve të Bashkuara është përqëndruar tek lufta kundër terrorizmit dhe zhvillimet në botën arabe, organizmi i këtyre seancave tregon se Ballkani nuk është harruar.

(Vijon të premten me mendimet dhe rekomandimet e analistëve të pavarur për të ardhmen e Kosovës që u shprehën gjatë seancës në Kongres).

XS
SM
MD
LG