Lidhje

Analisti Serwer i bën thirrje administratës amerikane të paraqesë një kandidaturë për postin e shefit të UNMIK-ut - 2003-05-23


Të mërkurën në Kongresin amerikan, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë organizoi një seancë për të diskutuar mbi të ardhmen e Kosovës. Dje ne ju njohëm me qëndrimin e Departamentit të Shtetit, se koha për hapjen e bisedimeve nuk ka ardhur ende dhe se udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin më parë standartet para statusit. Në seancë ishin ftuar për të dhënë mendimet e tyre edhe disa analistë të njohur të Ballkanit.

Ndoshta mbrojtja më e mirë politikës amerikane, ndaj kërkesave të disa ligjvenësve, që statusi i Kosovës të përcaktohet tani, në një seancë që u cilësua nga disa, si e mbizotëruar nga folësa që ishin pro pavarësisë së Kosovës, i erdhi nga dy analistët e njohur, Daniel Serwer i Institutit Amerikan të Paqes dhe James O’Brian, i Grupit studimor Albright. James O’Brian ka qënë i dërguar i posaçëm i administratës së presidentit Klinton për Ballkanin.

Sipas zotit O’Brian politika e standarteve para statusit është një politikë e zgjuar që ndoqi komuniteti ndërkombëtar për t’u bërë trysni si shqiptarëve edhe serbëve. Të dyja palët thotë zoti O’Brian, në një farë mënyre e kanë filluar procesin e statusit duke bërë të ditur qëndrimin e tyre maksimalist para fillimit të bisedimeve dhe me shpresë që pala tjetër mund të bëjë ndonjë lëshim që para fillimit të tyre.

“Në këtë mjedis negociatash, komuniteti ndërkombëtar bëri një veprim të zgjuar, e kuptoi se ndikimi i tij do të shtohej në se ai mbante në dorë çelësin e kohës të hapjes së bisedimeve Dhe ajo që bëri Michael Steiner, një diplomat mjaft i aftë, është që ai tha: unë do ta përdor këtë mjet për të arritur përparim në Kosovë para se ta hedh çështjen e statusit në tryezën e bisedimeve”, tha zoti O’Brian.

Sot, tha zoti O’Brian komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të bëjë gabimin që bëri në vitet ’90 duke vënë afate. Afatet, tha ai, i vijnë për shtat palëve që nuk janë dakort pasi ato mund t’i zvarrisin gjerat deri sa të kalojë koha e afatit. Prandaj, tha analisti, vënia e një afati për plotësimin e standarteve nuk është një politikë e zgjuar.

Nga ana e tij Daniel Serwer, Drejtor i Nismës Ballkanke në Institutin Amerikan të Paqes, theksoi se zgjidhja e vetme për Kosovën janë negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës. Analisti paralajmëron që “zgjidhja përfundimtare nuk do të përmbushë kërkesat maksimale as të shqiptarëve edhe as serbëve. Të dyja palët duhet të bëjnë lëshime. Negociatat duan përgatitje paraprake midis Beogradit dhe Prishtinës për çështjet praktike. Bisedimet duhet të fillojnë nën organizimin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian deri në vitin 2005 me synimin për t’i përfunduar brenda dy vjetësh, dhe së fundi, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë një pjesëtar i domosdoshëm në procesin e vendosjes për statusin përfundimtar”.

Zoti Serwer i bëri thirrje administratës amerikane të luajë një rol më të madh tani që po afrohet koha për statusin e Kosovës. Evropës thotë ai, i mungon besueshmëria e duhur për ta zgjidhur vetë çështjen e Kosovës dhe evropianët shton ai, janë në pritje të një sinjali se Amerika është gati të angazhohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Sinjali mund të vijë me caktimin e shefit të ri të UNMIK-ut, një detyrë që është mbajtur nga një evropian që nga viti 1999. Në se Shtetet e Bashkuara janë serioze për të përgatitur Kosovën për negociatat për statusin përfundimtar, Uashingtoni duhet të caktojë një kandidat amerikan për të kryesuar misionin e OKB-së në Kosovë”, tha zoti Sewer.

Kandidati i përshtatshëm amerikan thotë zoti Serwer do të bënte atë që nuk e bëjnë dot evropianët: të bindte shqiptarët se rruga e vetme për statusin përfundimtar është trajtimi korrekt i serbëve dhe pakicave të tjera.

Ndërsa duke iu drejtuar drejtëpërdrejt ligjvenësve në Kongres zoti Serwer theksoi se sinjalet që po dërgon Kongresi me rezolutat per pavarësine e Kosovës, dëgjohen qartë si në Prishtinë edhe në Beograd, por jo gjithmonë kuptohen si duhet. Kongresi, tha ai, duhet t’ia bëjë të qartë si Beogradit edhe Prishtinës që statusi i Kosovës nuk do të zgjidhet nga Kongresin amerikan por nga autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës. Do të ishte mirë, tha zoti Serwer, që në seancë të ishte dëgjuar edhe mendimi serb.

Mendimi i palës shqiptare në seancë u paraqit nga Xho Dioguardi dhe Shirley Cloyes të Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane dhe Martin Vulaj i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Opinioni serb në seancë mungonte, por ligjvenësi Don Burton lexoi letrën e serbo-amerikanit Michael Xhorxheviç. Zoti Xhorxheviç shprehte pakënaqësinë e tij që gjatë kësaj seance të Komisionit për Marrëdhëniet me jashtë nuk ishte ftuar asnjë serb për të paraqitur pikëpamjen serbe.

XS
SM
MD
LG