Lidhje

Shtëpia e Bardhë: vendimi i kabinetit izraelit - hap i rëndësishëm përpara - 2003-05-25


Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e quan vendimin e kabinetit izraelit një hap të rëndësishëm përpara.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët që po mbulojnë vizitën e Presidentit Bush në fermën e tij në Teksas, zëdhënësi Adam Levine thotë se Shtetet e Bashkuara presin me padurim të punojnë me të gjitha palët për ta bërë realitet vizionin e bashkëjetesës së të dy shteteve krah për krah në paqe.

Vendimi izraelit merret ndërkohë që po flitet për një takim të mundshëm të nivelit të lartë tre-palësh ndërmjet Presidentit Bush, Kryeministrit izraelit, Ariel Sharon, dhe Kryeministrit palestinez, Mahmud Abaz. Presidenti Bush tha të premten se do të shqyrtonte seriozisht mundësinë e një takimi të tillë, po qe se do ta çojë para procesin e paqes.

Zoti Bush ka premtuar të luajë një rol thelbësor në përpjekjet për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve izraelito-palestineze. Ai është bërë një ithtar i flaktë i së ashtuquajturës harta rrugore drejt paqes, e cila u përpilua nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Plani i paqes parashikon krijimin e një shteti palestinez deri në fund të vitit 2005, së bashku me garanci të forta sigurie për Izraelin. //az//

XS
SM
MD
LG