Lidhje

Amerikanët përkujtojnë Ditën e të Rënëve - 2003-05-26


Amerikanët përkujtuan të hënën Ditën e të Rënëve, ditë në të cilën ata nderojnë të vrarët në luftë. Presidenti Bush u bëri homazh të rënëve gjatë një ceremonie në Varrezat Kombëtare pranë Uashingtonit. Në ditën e sotme përkujtimore, nën një qiell të zymtë dhe me re, Presidenti Bush vendosi një kurorë në varrezën më të madhe ushtarake të vendit. Kjo është një fushë plot me shenja të pafund varresh të atyre që dhanë jetën për vendin. Në secilin varr është vendosur një flamur i vogël amerikan.

Disa nga varret e kanë zanafillën në revolucionin amerikan. Të tjerët janë të freskët, janë varre të atyre që kanë humbur jetën në konfliktet e fundit.

Presidenti tha se të gjithë ata janë vrarë në shërbim të vendit dhe të çështjes së lirisë.

“Sot ne nderojmë njerëzit që veshën uniformën e kombit dhe që u panë për herë të fundit në krye të detyrës, nga betejat në Irak dhe Afganistan, nga konfliktet në Kore dhe në Vietnam e deri te sprovat e Luftës Botërore dhe luftrat që na bënë ne kombi që jemi sot”, tha Presidenti Bush. Fytyra e Presidentit u bë e zymtë ndërkohë që ai foli për disa momente në jetën e të rënëve dhe vlerësoi lart sakrificën e tyre. Ai tha se të rënët e kombit nuk luftuan për lavdi por për të përmbushur një detyrë.

“Në çdo brez të amerikanëve, ne kemi gjetur guximin që ngrihet në lartësinë e detyrës së vendit tonë. Fshatrat dhe qytetet e këtij vendi, bashkë me rrugët e tyre gjithmonë kanë nxjerrë qytetarë të lirë që morën mbi vete disiplinën dhe detyrën e jetës ushtarake”, tha ai.

Presidenti Bush tha se vazhdimisht këta njerëz kanë demonstruar se forca morale e demokracisë është më e fuqishme se çdo tiran.

“E veja e njërit prej marinsave tanë në Irak e shpjegoi këtë shumë thjesht Në botë, tha ajo, ekziston e mira dhe e keqja dhe ai qendronte në anën e së mirës”, tha presidenti.

Presidenti tha se në Ditën e të Rënëve, vendi nderon të gjithë këta njerëz të mirë, ata amerikanë që u treguan të gatshëm të vdesin për vendin dhe për çështjen e tyre.//kk//

XS
SM
MD
LG