Lidhje

75 viktima nga rrëzimi i avionit - 2003-05-26


Një aeroplan me paqeruajtës spanjollë, që po kthehej nga Afganistani, u përplas në një mal të mbuluar nga mjegulla në Turqinë Verilindore duke shkaktuar vdekjen e të 75 personave që kishte në bord.

Avioni ukrainas po fluturonte nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabul, për në Zaragoza të Spanjës, kur u përplas dje pranë qytetit turk, Trabzon, të Detit të Zi. Aeroplani u zhyt në mjegull duke u përpjekur të bënte një ndalesë për t’u furnizuar me karburant.

62 ushtarakë spanjollë dhe 13 pjesëtarë të ekuipazhit ndodheshin në bord. Ministri spanjoll i Mbrojtjes thotë se mjegulla e dendur ishte shkak për aksidentin, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Leonid Kuçma, udhëzoi qeverinë e tij të bëjë hetime mbi përplasjen.

Aeroplani, i cili besohet se është përplasur gjatë përpjekjes së tretë për t’u ulur në tokë, u shpërbë në copa sapo u rrëzua. Ministri spanjoll i Mbrojtjes, Federico Trillo, dhe një grup hetuesish spanjollë mbi aksidentin vizituan vendngjarjen ku mbeturina të aeroplanit që digjeshin, ishin përhapur në një zonë të gjerë.

Pas njoftimit të aksidentit u shprehën ngushëllime nga Natoja, Presidenti Bush, Minsitria e Jashtme Afgane, komandanti i paqeruajtësve ndërkombëtarë në Afganistan dhe Papa Gjon Pali i Dytë. Ngushëllime shprehën edhe Franca, Gjermania, Portugalia dhe Italia.

//ze//

XS
SM
MD
LG