Lidhje

SHBA: Masat e Iranit kundër al-Kaidës, të pamjaftueshme - 2003-05-27


Administrata e presidentit Bush thotë se reagimi iranian ndaj kërkesës amerikane për masa kundër anëtarëve të Al-Kaidës, është i pamjaftueshëm. Por zyrtarët thonë se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë ndërprerë kontaktet me qeverinë iraniane për shkak të kësaj çështjeje. Zyrtarë të administratës së presidentit Bush thonë se Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në një takim me Iranin që duhet të mbahej javën e kaluar në Gjenevë, për shkak të informacioneve se Irani ka strehuar anëtarë të organizatës terroriste Al-Kaida.

Por zëdhënësi i Shëpisë së Bardhë Ari Fleicsher dhe Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell i mohojnë njoftimet se kontaktet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë ndërprerë në mënyrë të përhershme. Pas një takimi me presidentin e Madagaskarit, zoti Powell u tha gazetarëve se politika e dialogut ndaj Iranit vazhdon, megjithë shqetësimet e vjetra amerikane ndaj këtij vendi. “Politika jonë ndaj Iranit nuk ka ndryshuar. Ne nuk jemi dakord me përkrahjen e këtij vendi ndaj veprimtarive terroriste. Ne e kemi bërë të qartë për vite me radhë se nuk jemi dakord me përpjekjet e tyre për zhvillimin e aftësive bërthamore. Politikat tona janë të njohura dhe nuk di të ketë ndonjë ndryshim në poltikën ndaj Iranit, të atij lloji siç janë shprehur hamendje”, tha zoti Powell.

Sekretari Powell tha se Shtetet e Bashkuara kanë patur, kanë dhe do të vazhdojnë të kenë kontakte politike me Iranin. Duke bërë shaka me hamendjet e shtypit rreth një qëndrimi më konfrontues të Shteteve të Bashkuara ndaj qeverisë së Teheranit, ai tha se shumë lajmeve që botohen e ka të vështirë tua gjejë burimin.

Irani, i cili mohon se ka strehuar anëtarë të Al-Kaidës, tha dje se ka arrestuar disa persona të dyshuar si anëtarë të grupit terrorist, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer i quajti ato të pamjaftueshme.

Zoti Fleischer tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të lenë asnjë rast pa shfrytëzuar për t’u shprehur përmes kanaleve të përshtatëshme zyrtarëve iranianë shqetësimet rreth njoftimeve se ata strehojnë terroristë dhe për çështje të tjera.

Zëdhënësi konfirmoi njoftimet se anëtarë të ekipit të presidenti Bush për Sigurimin Kombëtar do të takohen ditët e ardhshme, për të rishikuar politikën ndaj Iranit, por duket se ai e përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës duke thënë se fjala është për “përpjekje diplomatike”.//kk//

XS
SM
MD
LG