Lidhje

Presidenti Bush për vizitë në Lindjen e Mesme - 2003-05-28


Presidenti Bush do të bëjë vizitën e tij të parë në Lindjen e Mesme javën e ardhëshme, ku do të zhvillojë një takim të nivelit të lartë me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, në përpjekje për të çuar përpara procesin e paqes.

Këshilltarja e Presidentit Bush për çështjet e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, tha se zoti Bush ka në plan të shkojë në qytetin port Aqaba të Jordanisë të mërkurën e ardhëshme për t’u takuar me Kryeministrin izraelit, Ariel Sharon, dhe me Kryeministrin palestinez, Mahmoud Abbaz. Ajo tha se Presidenti Bush do të takohet veçazi me të dy udhëheqësit para se të zhvillojë bisedimet tri palëshe.

Zoti Bush do të diskutojë të ashtuquajturën “hartë rrugore” ndërkombëtare për paqen në Lidjen e Mesme me udhëheqësit arabë në vendpushimin egjiptian pranë Detit të Kuq, Sharm el-Sheik një ditë para takimit të nivelit të lartë në Jordani.

Zonja Rice tha se Presidenti Bush beson se ekziston një mundësi e re për paqen në Lindjen e Mesme pasi Izraeli e pranoi “hartën rrugore”. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë dje se Presidenti palestinez, Yasser Arafat, nuk është i ftuar të marrë pjesë në asnjë prej takimeve të nivelit të lartë.

Këto takime do të zhvillohen në fund të turneut të presidentit Bush në Evropë, ku ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të 7 vendeve të industrializuara dhe Rusisë në Evian të Francës, në fillim të javës së ardhëshme.

Ndërkaq, Kryeministri palestinez, Mahmoud Abbas, tha se ka në plan të takohet sot me zotin Sharon për të diskutuar zbatimin e planit të paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Para se të kthehet në Uashington, zoti Bush do të vizitojë gjithashtu edhe forcat amerikane të stacionuara në Qatar të Gjirit Persik, nga ku u ndërmor edhe lufta e udhëhqur nga Shtetet e Bashkuara në Irak.//ic//

XS
SM
MD
LG