Lidhje

Kalendari Historik, 22 maj - 2003-05-29


Më 22 maj 1972, Riçard Nikson u bë presidenti i parë amerikan që vizitoi Bashkimin Sovjetik. Presidenti dhe zonja Nikson u pritën në aeroportin e Moskës nga zyrtarët më të lartë sovjetikë.

Për nëntë ditë me radhë, presidenti Nikson zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Leonind Brezhnev dhe presidentin Nikolai Podgorny.

Pjesa më e rëndësishme e vizitës së zotit Nikson, ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi për hapësirën midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, që edhe çoi drejt misionit Apollo-Soyuz në korrik të vitit 1975. Zoti Nixon dhe zoti Brezhnev gjithashtu nënshkruan traktatin e parë që kufizonte prodhimin e armëve strategjike.

Më 22 maj 1868, një grup banditësh që e quanin vetën "Banda Reno", kryen grabitjen e parë të një treni në Shtetet e Bashkuara. Banda, që udhëhiqej nga vëllezërit John dhe Simon Reno, i zuri pritë trenit, gjatë një ndalese për t’u furnizuar me lëndë djegëse dhe ujë në qytetin Marshfield, të shtetit të Indianas.

Banditët e lidhën ekuipazhin e trenit, pastaj ndanë vagonët me udhëtarë dhe ikën me lokomotivën dhe vagonin ku transportoheshin valixhet. Një grup vullnetarësh të armatosur që i kishin shkuar në ndihmë të policisë, gjetën kasafortat e zbrazura në një rajon malor rreth 32 kilometra larg vendit, ku u krye grabitja.

Të gjitha gjërat që kishin qenë në kasaforta, përfshirë këtu edhe monedhat prej ari dhe paratë që kapnin një shumë prej 80 mijë dollarësh, ishin zhdukur. Disa ditë më vonë, katër pjesëtarë të bandës u kapën, për shkak të një vjedhjeje tjetër që kishin kryer.

Atë mbrëmje, një grup qytetarësh nga Marshfieldi u drejtuan për në burg, duke kërkuar të dinin se ku ishin të fshehura gjërat e vjedhura. Qytetarët e lidhën oficerin e policisë dhe i nxorrën të burgosurit nga qelitë e tyre. Ata u dhanë banditëve dy mundësi: ose të tregonin se ku i kishin fshehur gjërat e vjedhura, ose të vdisnin. Banditët nuk pranuan të tregonin dhe qytetarët e zemëruar i varën ata në litar.// lk //

XS
SM
MD
LG