Lidhje

Presidenti Bush fillon turneun njëjavor në Evropë dhe në Lindjen e Mesme - 2003-05-30


Presidenti Bush e fillon udhëtimin e tij në Poloni, një aleate e rëndësishme e luftës në Irak. Ai do të shkojë në Krakov, qyteti i tretë më i madh të vendit, për një vizitë të shkurtër por me simbolikë të madhe.

Ai do të vizitojë Aushvicin dhe Birkenaun, dy vende ku kanë qenë kampet naziste të vdekjes dhe ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore u vranë më shumë se 1 milion e 500 mijë njerëz.

Ky do të jetë një homazh i heshtur për viktimat e tiranisë, i cili do të pasohet nga një fjalim në një kështjellë të lashtë. Presidenti Bush pritet të flasë për nevojën e luftës kundër forcave të së keqes, siç i ka quajtur ai. Ai do të flasë gjithashtu në përgjithësi për lidhjet transatlantike, sidomos për vlerat e përbashkëta që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

Nga Polonia, Presidenti do të vizitojë dy vende që e kundërshtuan ndërhyrjen në Irak: Rusi dhe Francë. Në Shën Peterburg, ai do të marrë pjesë në festimet e 300 vjetorit të qytetit dhe do të zhvillojë bisedime të shkurtra me presidentin Vladimir Putin; ndërsa në qytetin turistik Evian të Francës, ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë vjetor të 8 vendeve më të industrializuara dhe do të takohet me Presidentin Zhak Shirak.

Presidenti Bush tha se nuk pret ndonjë konfrontim në Evian. Në një intervistë me një grup të vogël gazetarësh para se të nisej nga Uashingtoni, ai tha se nuk është i indinjuar me francezët, por i zhgënjyer.

Presidenti tha se tani, synimi i tij është përqendrimi tek e ardhmja dhe tek fushat e bashkëpunimit. Presidenti përmendi konkretisht luftën kundër Sidës në Afrikë, nxitjen e tregëtisë dhe masat për t’u ndërprerë terroristëve financimin.

Qendrimi i tij në Takimin e Tetëshes do të jetë i shkurtër. Nga mesi i takimit ai do të niset për në Lindjen e Mesme, për të filluar një turne diplomatik, që mund të rezultojë me rëndësi vendimtare.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Lindjen e Mesme si president dhe disa analistë thonë se ajo do të shënojë një pikë kthese në angazhimin e tij në procesin e paqes.

Presidenti Bush, i cili në të kaluarën është kritikuar se nuk ka bërë sa duhet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve izraelito-palestineze, thotë se shikon një rast të mirë që duhet shfrytëzuar. Në thelb, thotë Presidenti, kjo është pikërisht koha që duhet.

Ai do të fillojë me bisedime në Egjipt me udhëheqës arabë, të cilëve do t’u kërkojë të luajnë rolin e tyre në nxitjen e paqes dhe do të paralajmërojë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bëjnë këtë të vetme.

Në Jordani, po hartohen ndërkohë plane për një takim historik tripalësh, ku do të marrin pjesë Presidenti Bush, kryeministri izraelit Ariel Sharon dhe ai palestinez Mahmoud Abbas. Kjo do të jetë hera e parë që Presidenti Bush do të takohet ballë për ballë me zotin Abbas. Gjatë një diskutimi me gazetarët rreth tryezës së rrumbullaktë, presidenti tha se ka besim te kryeministri palestinez kur ai dënon terrorin. Presidenti Bush ka folur ndërkaq me tone të ashpra për Yasser Arafatin, duke e quajtur atë ”udhëheqësi i vjetër” i Autoritetit Palestinez, i cili e dogji shansin që kishte për të udhëhequr.// lk //

XS
SM
MD
LG