Lidhje

Tiranë; Komisioni hetimor “Olldashi” mund të mos ketë një raport të miratuar bashkarisht - 2003-06-01


Komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës hyri me vështirësi në fazën e fundit të punës, ku konfliktet e brendshme rrezikojnë përgatitjen e një raporti përfundimtar.

Kryetari i këtij komisioni, Sokol Olldashi, shprehu sot për herë të parë pesimizmin e tij për mbylljen e punës me një raport të përbashkët mbi procesin hetimor. Ai ha sot para shtypit se anëtarë të komisionit kanë lënë të kuptohet se nuk do të miratojnë raportin dhe se mund të përsëriten historitë me dy raporte të komisioneve të mëparshme. “Jam përpjekur që komisioni të shkojë sa më koherent brenda vetes deri në fund të tij. Por mund t’ju them se qysh në ditën e parë e krijimit, nga përfaqësues të Partisë Socialiste brenda komisionit ka patur deklarata të qarta që komisioni do të dalë me dy raporte. Nuk e di nëse përpjekjet e mia do të jenë të mjaftueshme për të ruajtur koherencën për të cilën fola” – tha zoti Olldashi.

Komisioni është duke shqyrtuar një mori dosjesh dhje dokumentash mbi veprimtarinë financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës dhe së shpejti do të ftojë zyrtarë të ndryshëm për të dhënë shpjegime mbi cështje të caktuara teknike. Zoti Olldashi thotë se më parë duhen mbledhur prova faktike në terren mbi investimet që po hetohen. “Dëshmitarët do të vijnë të sqarojnë rrethanat. Ne kemi kërkuar të vijë kryeministri Nano i pari, ministrat e kulturës të dytët, zoti Rama do të vijë sigurisht të dëshmojë pasi është personazhi kryesor i implikuar në shumicën e cështjeve. Por më parë ne duam të mbyllim procesin e provave, sepse nuk ka më ditë” – tha zoti Olldashi.

Anëtarët socialistë të komisionit janë përfshirë kryesisht në hetimin e fondeve të përdorura nga bashkiakët e Partisë Demokratike. Ata i kanë akuzuar komisionerët e opozitës për shkelje ligjore gjatë marrjes së dokumentave nga arkivat dhe keqpërdorimit të tyre gjatë hetimit.

Komisioni për hetimin e Ministrisë së Kulturës dhe Bashiksë së Tiranës u ngrit me kërkesën e opozitës pas dyshimeve për shpërdorim të fondeve publike në këto dy institucione të drejtuara nga zoti Edi Rama. Shumica e deputetëve socialistë kërkoi që me këtë rast të mund të hetohej edhe veprimtaria financiare e ish-drejtuesve të viteve të PD-së. Pjesa dërrmuese e analistëve vendas mendojnë se dy forcat kryesore politike po përpiqen që puna e këtij institucioni të ndikojë në fushatën zgjedhore për pushtetin vendor që po afron. //ss//

XS
SM
MD
LG