Lidhje

Roli i presidentit Putin në të ardhmen e Rusisë - 2003-06-02


Megjithëse e kundërshtoi luftën e Shteteve të Bashkuara në Irak, toni i presidentit rus Vladimir Putin ishte përgjithësisht pajtues në takimin e tij me presidentin Bush gjatë fund-javës së kaluar në Shën Peterburg. Ai theksoi nevojën për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, si dhe vuri në dukje rrezikun e përhajes së armëve bërthamore. Takimi i nivelit të lartë krijon bazat për marrëdhënie të afërta me përfundimin e konfliktit në Irak, të cilat mirëpriten nga analistët, ndërkohë që ata paralajmërojnë edhe për rreziqe.

Presidenti rus Putin bashkoi zërin me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë për të kundërshtuar luftën në Irak. “Ku është Sadam Huseini, Ku janë armët e shkatërrimit në masë?”

Me këto pyetje presidenti Putin i bëri jehonë opinionit publik në Rusi, thotë Daniel Treisman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.

“Lufta në Irak është ndër temat kryesore që u jep tonin marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Opinioni publik në Rusi është tepër armiqësor ndaj veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Ky është realiteti politik me të cilin ndeshet presidenti Putin,” thotë profesori Treisman.

Por profesori Treisman shton se duket që të dyja palët duan t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet që solli lufta dhe të përqëndrohen në çështje si lufta kundër terrorizmit dhe bashkëpunimi ekonomik.

David Sutter, autor i librit “Errësirë në Agim: Ngritja e Shtetit Kriminal Rus” thotë se takimi i Shën Peterburgut është një tregues i mirë i zhvillimeve që priten në të ardhmen:

“Aktualisht po bëhen përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet pas kundërshtimit të Rusisë ndaj fushatës amerikane në Irak. Kam përshtypjen se amerikanët mendojnë që nuk duhet të shqetësohemi shumë për Francën dhe Gjermaninë, por të vendosim marrëdhënie të mira me Rusinë,” thotë zoti Sutter.

Siç i tha presidenti Bush gazetës franceze Le Figaro: “Marrëdhëniet e mia personale me presidentin Putin janë aq të mira, sa të kem besim te ai.”

Përmirësimi i marrëdhënieve amerikano-ruse shoqërohet me rreziqe, thotë David Satter. Ky aleat i angazhuar në luftën kundër terrorizmit po zbaton praktika terrori në luftën e tij në Çeçeni. Zoti Sutter thotë se këto praktika po krijojnë kushtet për shkallëzimin e ekstremizmit islamik që paraqet rrezik si për Rusinë ashtu edhe për Amerikën:

“Është një situatë e përzier. Nga njëra anë u kërkojmë ndihmë rusëve. Por nga ana tjetër, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë i nxisim të ndjekim politika që mund të shkallëzojnë vetë problemin që po përpiqemi të zgjidhim. Angazhimi i Rusisë si një anëtare e koalicionit anti-terrorist mund të japë rezultate pozitive në një afat të shkurtër, por rrezikojmë të krijojmë probleme më të mëdha në të ardhmen,” thotë zoti Sutter.

Një ndër problemet më të mëdha, vazhdon ai, është kontrolli i rreptë që ushtrojnë oligarkët mbi ekonominë ruse dhe deri diku edhe mbi jetën politike të vendit. Kjo, shton ai, ka ushqyer krijimin e një shteti kriminal, megjithë përpjekjet për të mos lejuar angazhimin në politikë të këtyre personave.

Profesori Treisman shkruan në revistën Foreign Affairs se presidenti Putin nuk ka arritur të luftojë pushtetin e oligarkëve, të cilët ushtrojnë ndikimin e tyre politik në shumë prej 89 provincave të Rusisë.

Por duket se shumë nga këta individë kanë hequr dorë në një farë shkalle nga aktet kriminale dhe po i mbajnë një pjesë të fitimeve në Rusi, ndërkohë që përpiqen të tërheqin investitorë të huaj. Në disa raste duket se ata kanë hequr dorë nga kontradiktat fatale me njëri-tjetrin. Konglomeratet e tyre po i japin hov ekonomisë, ndërkohë që ndërmarrjet më të vogla kanë mbetur pas: TREISMAN “Së paku për momentin, Putin mund t’i shohë oligarkët si faktorë që i shërbejnë interesave ekonomike të Rusisë. Njëkohësisht ai do të përpiqet të mos u lejojë atyre të njëjtin rol politik që dukej se luanin nën regjimin sovjetik të presidentit Yeltsin. Ai do të sigurohet që në fushën e politikës, fjala vendimtare i takon atij,” thotë zoti Triesman.

Ai thekson se në Rusi ka një numër problemesh, sidomos në sistemin ligjor, atë gjyqësor apo në infrastrukturë. Por duket se votuesit ndjehen mirënjohës për përmirësimin gradual të kushteve të tyre ekonomike.

Ndoshta politika e jashtme është fusha ku është ndjerë më tepër puna e presidentit Putin. Megjithëse iu kundërvu luftës së Shteteve të Bashkuara në Irak, ai e ka pranuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga traktati anti-balistik, zgjerimin e Natos dhe vendosjen e trupave amerikane në Azinë Qendrore.

Ai e ka të qartë se e ardhmja e Rusisë varet në një masë të konsiderueshme në marrëdhëniet e mira të vendit të tij me Shtetet e Bashkuara dhe perëndimin.

Por ekziston rreziku që presidenti Putin të japë përshtypjen si tepër perëndimor, thotë Anders Aslund, autor i librit “Ndërtimi i kapitalizmit: Transformimin i ish Bllokut Sovjetik.”

Zoti Aslund shkruan në gazetën New York Times se presidenti Putin krahasohet shpesh me ish presidentin rus Gerbaçov, i cili akuzohet se u hapi rrugë së tepërmi amerikanëve, por nuk mori asgjë si shkëmbim.

Ndër ato që do të donte Moska si shkëmbim është ripagimi i borxhit që i detyrohet Iraku dhe përfshirja e kompanive ruse në nxjerrjen e naftës në Irak. Por këto përfitime mund të varen nga niveli i angazhimit të Rusisë në përpjekjet për mospërhapjen e armëve bërthamore, veçanërisht në Iran. //ad//

XS
SM
MD
LG