Lidhje

Tiranë: Në takimin e  nivelit të lartë të BE-së në Selanik, Kosova do të përfaqësohet me drejtuesit e zgjedhur të saj - 2003-06-03


Vendi që do të zerë Kosova në rrjedhat e integrimit europian të Ballkanit perëndimor, ishte në qendër të vëmendjes së bisedimeve që u zhvilluan sot në Tiranë mes autoriteteve më të larta të Shqipërisë dhe ryeadministratorit të Kosovës Michael Steiner. Kjo edhe për faktin se takimi i nivelit të lartë të 15 vendve të BE i cili do të mbahet pas pak javësh në Selanik të Greqisë do të fokusohet pikërisht në marrëdhëniet me vendet e rajonit. Kryeadministratori Steiner njoftoi sot se në delegacionin e Unmik-t do të ketë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës: "Kosova do të përfaqësohet në Selanik nga një delegacion I Unmik në të cilin do të ketë përfaqësuesë nga institucionet e përkohshme dhe kam kënaqësinë të vejë në dukje se të gjithë që do të shkojnë duhet të zbatojnë rregullat. Të gjithë duhet të jenë në gjendje të bisedojnë me njëri tjetri".

Kjo shënon pjesmarrjen e parë të përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës në një takim ndërkombëtar, të një niveli kaq të lartë.

Megjithatë zoti Steiner saktësoi se ky fakt "tregon pranimin e nevojës politike që ata që janë zgjedhur të marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë e të ligjshme në ngjarje që kanë rëndësi për Kosovën, por në asnjë mënyrë - shpjegoi ai - kjo nuk ndryshon statusin e Kosovës. Nuk ishte ky qëllimi dhe nuk do të jetë as efekti", deklaroi zoti Steiner.

Nga autoritetet e këtushme, të cilat kanë këmbëngulur në një përfaqësim të Kosovës edhe me udhëheqësit e zgjedhur të saj, vendimi i paraqitur nga kreyadministratori i Kosovës është vlerësuar si një ngjarje e rëndësishme. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta tha në përfundim të takimit me përfaqësuesin e Kombeve të Bashkuara, se për udhëheqësit e Kosovës ky është një shans i madh: "Vendi i Kosovës në samitin e Selanikut nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin fizik, por është një shans i madh për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për ti treguar udhëheqësve të BE dhe vendeve të rajonit se ata kanë një vizion të qartë për integrimin europian të Kosovës, për integrimin rajonal, një vizion të qartë e pa paragjykime për të bashkëpunuar më të gjithë fqinjët pa përjashtim"

Zoti Meta u shpreh se për të ardhmen e Kosovës ka një rëndësi të madhe harmonizimi dhe sinkronizimi i politikës së Unmik-ut dhe komunitetit ndërkombëtar me mekanizmat monitirues së BE për Kosovën. "Në këtë mënyrë - shpjegoi ai - përpjekjet për standarte të reja do të kenë një qëllim të dyfishtë, jo vetëm do të pjekin kushtet për statusin finale por do ta afrojnë Kosovën edhe me BE".

Gjatë vizitës në Tiranë kryeadminitratori i Kosovës është takuar edhe me kryeministrin Fatos Nano dhe presidentin e Republikës Alfred Moisiu. Kreu i shtetit ka përsëritur qëndrimin e njohur sipas të cilit "zgjidhja e statusit duhet të bëhet në përputhje me vullnetin e banorëve të Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe se Tirana e Beogradi mund të ndihmojnë por jo të jenë përcaktues në këtë proces".

Nga autoritetet e këtushme edhe një herë kryeadministratori i Kosovës ka marrë sigurinë dhe mbështetjen që Tirana i jep forcimit të bashkëjetesës dhe të institucioneve të atjeshme. Kryeministri Nano është shprehur për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit: "Unë besoj se, së bashku, do të mundemi të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe të shtojmë iniciativat që bashkëpunimi rajonal të intensifikohet dhe faktorët përfaqësues të vendeve të Ballkanit e të politikës ballkanase të intensifikojne dialogun politik midis tyre, krahas dialogut me Brukselin dhe me qendrat e tjera të politikës globale".

Gjatë të gjitha bisedimeve të sotme në Tiranë i është kushtuar rëndësi forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, ku si mjaft e rëndësishme konsiderohet nënshkrimi sa më shpejt i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes dy vendeve apo dhe realizimi i projektit në fushën energjitike për linjën e interkoneksionit Fierzë Prizren. //ss//

XS
SM
MD
LG