Lidhje

Rënia e dollarit - një e keqe e mirë për Amerikën - 2003-06-04


Kur dëgjon të flitet për dollarin, njeriu mendon për simbolin pasurisë dhe të prestigjit amerikan. Prandaj kur dëgjon për rënien e tij, kjo tingëllon paksa e pabesueshme.

Dollari duhet t’i ngjante shqiponjës, i fuqishëm, gjithnjë me kokën lart.

Por përse sekretari amerikan i thesarit John Snow duket i qetë edhe pse dollari po bie?

Njëra nga arësyet është kjo: Një konteiner do të niset së shpejti me anije nga Amerika për në Azi, dhe duhet të ishte i mbushur me mall amerikan që u shkojnë konsumatorëve të huaj.

Por ai është bosh. Eksportet amerikane për në vendet e tjera kanë rënë ndjeshëm. Jo sepse Amerika nuk prodhon mall të mirë. Pulat amerikane, muzika, filmat, armët ilaçet amerikane, janë shumë popullore në botë. Por çmimet e tyre kanë qenë paksa të larta kohët e fundit.

Mirëpo kur dollari bie, kjo do të thotë se çmimet që paguajnë të huajt për këto mallra bien po ashtu.

Kështu që, rënia e dollarit mund të shtojë shitjen e mallrave amerikane në botë, pra t’i bëjë mirë Amerikës.

Por këtu ka një rrezik, sepse kur dollari bie, ai bie në krahasim me diçka tjetër. Kur vlera e tij ulet, monedhat e tjera, si euroja apo jeni japonez, ngrihen.

Pra, megjithëse mallrat amerikane bëhen më të lira në tregjet e botës, këtu në Amerikë rriten çmimi i mallrave të huaja, si artikujt sportivë nga kina, mallrat elektronike japoneze apo ullinjtë grekë, qoftë edhe kakaoja afrikane.

Kështu që, kur sekretari i thesarit shikon dollarin në rënie, ai mendon dy gjëra: se rënia e dollarit ndihmon Amerikën për tu shitur mallra të huajve, por dëmton ata amerikanë që pëlqejnë mallrat e huaja. Sidoqoftë, ai mendon se tani për tani Amerika mund të përfitojë sado pak nga kjo rënie.

XS
SM
MD
LG