Lidhje

SHBA dënojnë vrasjet e Obiliqit - 2003-06-04


Trupat e tre pjestarëve të komunitetit serb, janë gjetur sot në një shtëpi të djegur në qytezën e Obiliqit, rreth 6 kilometra në dalje të Prishtinës.

Zyra amerikane në Prishtinë e dënoi vrasjen e tre serbëve në Obiliq. Reno Harnish, shef i kësaj zyre, është shprehur i tmerruar nga kjo vrasje brutale e tre civilëve të paarmatosur, të cilët flinin në shtëpinë e tyre, në kohën kur Kosova dhe përkrahësit e saj ndërkombëtarë janë duke punuar pa u lodhur për vendosjen e standardeve të larta të të drejtave të njeriut dhe tolerancës për të gjitha komunteteve etnike të Kosovës.

Në reagimin e zotit Harnish thuhet se familja Stolic, banorë të hershëm të Kosovës ka jetuar në Kosovë për shumë vite, dhe pas luftës ka qëndruar në Kosovë për një arsye të thjeshtë: Kosova është shtëpia e tyre dhe ata dëshironin të vazhdonin të jetojnë në paqe në shtëpinë e tyre, duke ndarë jetën e përbashkët me fqinjët e tyre. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara fuqimisht dënon këtë sulm, jo vetëm për shkak të vrasjeve të tmerrshme që janë bërë, por gjithashtu sepse paraqet një goditje gjithanëshme ndaj vlerave, të cilat Amerika dhe partnerët e saj evropianë i konsiderojnë të rëndësishme dhe për të cilat luftuan në Kosovë më 1999. Këto akte tregojnë se në Kosovë sot ka elemente që e shohin dhunën si mjet legjitim të politikës. Qëllimi përfundimtar i tyre është të terrorizojnë qytetarët, të mbjellin frikën në zemrat e qytetarëve të rëndomtë dhe me çdo kusht, t’i realizojnë qëllimet e tyre të padrejta.

“Aktet e tilla,” ka theksuar zoti Harnish, “kthejnë prapa përparimin politik në Kosovë në kohën kur është duke u bërë një përparim kuptimplotë në përmbushjen e standardeve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, UNMIK-u dhe partnerët ndërkombëtarë. Personat që qëndrojnë prapa këtyre akteve kriminale të frikësimit, qofshin ata vetë të angazhuar në mënyrë aktive në këto vepra, apo ata të cilët thjesht ofrojnë përkrahje, duke mos bërë asgjë në dënimin apo parandalimin e këtyre akteve, janë duke e dëmtuar rëndë përparimin drejt statusit përfundimtar. Drejtësia thjesht duhet të mbizotërojë në Kosovë dhe atmosfera e tolerancës dhe respektit të dyanshëm duhet të mposhtë urrejtjen që ka mbizotëruar në disa qarqe gjer më sot,” përfundon zoti Harnish.

Vrasja është dënuar ashpër edhe nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova,i cili e ka cilësuar atë si akt kriminal i drejtuar kundër stabilitetit, qetësisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe të ardhmes së saj. Vrasjen e kanë dënuar edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare, të cilët kanë kërkuar gjetjen sa më të shpejtë të autorëve të krimit dhe vënien e tyre para drejtësisë…

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Mihail Shtajner dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi vizituan vendin e ngjarjes dhe e dënuan fuqishëm këtë ngjarje. Të pritur nga banorët e zemëruar serbë që protestonin ndaj kësaj vizite zoti Steiner dhe kryeministri Rexhepi u shprehën shumë të zemëruar poashtu me këtë incident. Administratori Steiner tha se “ky ishte një akt i tmerrshëm, që drejtohet kundër shoqërisë shumetnike në Kosovë.

”Në këtë rast nevojitet drejtësia”, -tha zoti Shtajner, duke bërë të ditur se “është vendosur që policia të krijojë një skuadër të posaçme që të merret me këtë rast”. Ai tha se “patologët ndërkombëtarë do të merren me hetimin e kufomave, ndërsa në zonën e krimit do të shtohen masat e sigurisë nga forcat paqëruajtëse dhe policia”.

Zoti Shtajner tha se është vendosur që në Obiliq të shpallet ditë zie, në mënyrë që kjo komunë të dëshmojë se është kundër akteve të tilla të tmerrshme, ndërsa nënvizoi se në këtë komunë, “deri tash ishte arritur përparim i madh, me kthimin e refugjatëve dhe bashkjetesën ndërmjet komuniteteve.”

Kryeministri Bajram Rexhepi tha se ky është një akt barbar, pavarësisht se kush është autor, ndërsa bëri thirrje që organet e drejtësië të ndriçojnë këtë rast, sa më parë që është e mundur. “Është simptomatike, se në momentin kur pritet kthimi edhe i 20 familjeve të tjera në Obiliq dhe para vizitave të rëndësishme, ndodhin gjëra të tilla monstruoze”,- theksoi kryeministri Rexhepi.

Disa hollësi të tjera në lidhje me incidentin.

Trupat janë gjetur në orët e mëngjesit, ndërsa sipas zyrtarëve të policisë, tri viktimat, pjesëtarë të një familjeje, janë qëlluar me sëpatë, apo ndonjë mjet tjetër të mprehtë, ndërsa trupat janë djegur pasi shtëpisë i është vënë zjarri. Tani për tani janë duke u zhvilluar hetime intensive për gjetjen e së vërtetës mbi këtë ngjarje, ndërkohë që mjekët po përpiqen të shpjegojnë, nëse vdekja ishte pasojë e goditjeve, apo e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë.

Ndonëse ende nuk janë dhënë hollësi të tjera dhe nuk ka ndonjë të arrestuar, burimet serbe pohojnë se ky ishte një akt me motive etnike, ndërsa përfaqësuesit e komunitetit serb kanë paralajmëruar protesta, duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.// lk //

XS
SM
MD
LG