Lidhje

Dy redaktorë të gazetës Nju Jork Taims japin dorëheqjen - 2003-06-06


Gazeta Nju Jork Taims, një simbol i fjalës së lirë në Shtetet e Bashkuara ka përjetuar javët e fundit një skandal të fuqishëm që ka njollosur historinë e saj 150 vjeçare dhe ka vënë në pikëpyetje politikat e favorizimit të pakicave si dhe ka ngjallur një debat të gjerë mbi vërtetësinë e raportimeve të shtypit.

Redaktori Ekzekutiv Hauell Rejns dhe Redaktori Menaxhues Xherald Boid i gazetës dhanë dorëheqjen të enjten nga skandali që lidhej me gazetarin 27-vjeçar Xhejson Bler. Gazeta njoftoi se Xhozef Leliveld, 66-vjeç ishte emëruar si redaktor i përkohshëm ekzekutiv dhe do të merrte përsipër përgjegjësitë e zotit Rejns. Askush nuk do të emërohet si Redaktor i Përkohshëm Menaxhimi.

Të gjithë janë të tronditur nga ngjarjet, tha Di Uedemejer, redaktore për 25 vjet në këtë gazetë. Ajo tha për shtypin se gjërat do të përmirësohen dhe problemet do të sheshohen.

Pesë javë më parë gazetari Xhejson Bler dha vetë dorëheqjen, pasi u akuzua dhe më pas pranoi se në dhjetëra artikuj të tij kishte pasaktësi, si citime të trilluara dhe sajime faktesh. Gazeta bëri të ditur se do të ngrinte një komision për të rishikuar politikat e raportimit, përfshirë edhe praktikat e punësimit, përdorimin e burimeve të paidentifikuara, korrespondentëve të pavarur dhe praktikave të afateve kohore. Skandali në gazetën Nju Jork Taims është një nga aktet më flagrante të mashtrimit në historinë e çfarëdo gazete. Redaktorët Hauell Rejns dhe Xherald Bojd u kritikuan për rolin e tyre në këtë skandal. Thuhet se ata i dhanë gazetarit Bler detyra të rëndësishme, megjithë problemet me besueshmërinë e tij.

Disa e shohin këtë qëndrim si pjesë e politikës për të favorizuar pakicat pasi gazetari Blair ishte zezak, por ka edhe nga ata që thonë se problemi është rrjedhojë e të meta në politikat drejtuese. Redaktori Raines është akuzuar më parë si një drejtues arrogant, që shpesh ofendonte gazetarët. Thuhet gjithashtu se ai favorizonte gazetarët me emër.

Shumë nga gazetarët e Nju Jork Taimsit thonë se ndjehen të çliruar që kjo periudhë mori fund, megjithëse ende nuk e kanë marrë veten nga tronditja. Kritikët si brenda personelit ashtu edhe jashtë gazetës fajësojnë redaktorin Raines, fitues i Çmimit Pulitzer, që nuk mori përgjegjësinë për skandalin:

“Sistemi nuk është ndërtuar për të kapur personin që mashtron dhe përdor çdo mjet që ka në dorë për të nxjerrë informata falso në gazetë,” thotë zoti Raines.

Por edhe pas ankesave për probleme në punën e gazetarit Blair, redaktorët vazhduan ta ngarkojnë me detyra të rëndësishme, si mbulimin e zhvillimeve të sulmuesit me snaiper: Disa e shohin çështjen e Jason Blair si një shembull të dështimit të politikave për favorizimin e pakicave, duke argumentuar se me zellin e tij për të sjellë gazetarë zezakë në ekip, redaktori Raines nuk u kushtoi vëmendje shkeljeve profesionale të Blairit. Të tjerët mendojnë se shkak u bë vetëkënaqësia që mbizotëron në stilin menaxhues të gazetës:

“Mendoj se skandali ishte rrjedhojë e atmosferës arrogante në gazetë, se “Ne nuk do të kufizojmë vetveten, pasi ne jemi Nju Jork Taimsi,” thotë një gazetar.

Pritet që përveç dëmit në imazhin e të gjithë gazetarëve, skandali të ketë edhe efekte pozitive:

“Sa herë që gazetarëve u jepet mundësia të ndalen dhe të reflektojnë mbi punën e tyre, zakonisht efekti është përmirësimi i punës së gazetarisë,” thotë një gazetar.

Vetë Jason Blair, i cili më parë ishte mburrur se kishte mashtruar disa nga emrat më të shquar në gazetari, shprehu keqardhje që edhe persona të tjerë po binin viktimë e skandalit që kishte lindur prej tij. //ad//

XS
SM
MD
LG