Lidhje

Libër i ri mbi gjeneralin Ajzenhauer gjatë Luftës së Dytë Botërore - 2003-06-07


Gjashtë qershori shënon 59 vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në brigjet e Normadisë, një pikëkthesë vendimtare në Luftën e Dytë Botërore. Synimi i zbarkimit të 6 qershorit të vitit 1944 në Normandi ishte çlirimi i Francës nga pushtimi nazist. Trupat udhëhiqeshin nga komandanti suprem i forcave aleate, Duajt Ajzenhauer, i cili më pas shërbeu për dy mandate në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Vitet e luftës të gjeneralit Ajzenhauer janë tema e një libri të ri kujtimesh, shkruar nga djali i tij, Xhon Ajzenhauer, vetë gjeneral në pension, i cili ka shërbyer edhe si ambasador. John Eisenhawer, i kaloi vitet e fëmijërisë nën ndikimin e disa njerëzve të njohur. Mes miqve të familjes ishin gjeneralë të famshëm si George Patten. Mes historive të familjes përfshiheshin takime me kryeministrin britanik, Uinston Çërçill, dhe udhëheqës të tjerë botërorë. Dhe ndërsa po përgatitej për karierën e vet ushtarake, ai i mori mësimet e para nga shembulli i babait të tij:

“Gjëja që më çudiste më tepër, ishte aftësia e tij për të ruajtur gjakftohtësinë edhe në rrethanat më ekstreme. Babai më merrte në takimet e tij me njerëz të shquar. Në këto takime merreshin vendime të rëndësishme, por ai nuk shprehte kurrë shqetësim. Më vonë kur ai u bë President, punova pranë tij duke shkruar kujtimet e tij presidenciale. Ishte kënaqësi të punoje pranë tij. Ai kishte aftësinë të dëgjonte dhe të pranonte 90 për qind të propozimeve të bëra,” thotë autori.

Në librin ”Gjenerali Aik” John zbulon personalitetin e të atit lidhur me marrëdhëniet e tij me udhëheqës shtetesh dhe drejtues ushtarakë. Xhoni veçon miqësinë e veçantë që i ati kishte me gjeneralin Xhorxh Marshall, Shef i Shtabit i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe hartues i asaj që më pas do të njihej si Plani Mrshall për rindërtimin e Evropës së pas luftës.

“Babai im u thirr në Washington një javë pas sulmit japonez në Pearl Harbor me datë 7 dhjetor 1941. Babai im nuk e njihte gjeneralin Marshall, pavarësisht nga disa takime të rastësishme. Ai kishte shërbyer në Filipine nën komandën e gjeneralit Daglas MacArthur. Gjenerali Marshall ndërmori një veprim kurajoz. Ai caktoi babain tim gjeneral. Kështu, 15 muaj pasi babai kishte shërbyer si Kolonel, ai u caktua në drejtimin e një fushate të madhe ushtarake. Babai e vlerësonte shumë lart gjeneralin Marshall dhe ishte gjithmonë besnik ndaj tij,” thotë autori.

Xhoni kujton se babai i tij kishte aftësinë të merrte në konsideratë edhe mendimet e kundërta dhe të zgjidhte problemet para se ato të bëheshin publike. Ai sjell si shembull rastin e arritjes së një marrëveshje të minutit të fundit me drejtuesin e rezistencës franceze Çarls De Gol.

“Me kalimin e kohës babi im dhe De Gol ndërtuan një shoqëri tërheqëse. Ai ftonte gjeneralin De Gol në shtabin e tij ku merreshin vendimet për të sulmuar. De Gol u ndje keq kur ai shikoi dekleratën që babai do të shpallte. Kjo dekleratë, e cila nuk e përmendte gjeneralin De Gol, tingëllonte si dhënie urdhëri ndaj francezëve. De Gol nuk e pëlqeu dekleratën. Ky ishte ballafaqimi i parë i tyre. Më pas marrëdhëniet e respektit reciprok ndërmjet tyre u shtuan pavarësisht nga mosmarrëveshjet. De Gol, jo vetëm që u bë mbështetësi kryesor i babait, por ai është edhe një personazh i rëndësishëm në librin e tim,” thotë Xhoni.

Në libër ka edhe një fragment ku autori përshkruan një përplasje të të atit me kryeminsitrin britanik Uinston Çurçill, lidhur me dëshirën e kryeministrit britanik për të parë ditën e zbarkimit nga bordi i një luftanijeje britanike. Por Duajt Ajzenhauer i tha atij se kjo ishte e rrezikshme.

“Kjo është një histori interesante sepse nga njëra anë është një drejtues qeverie dhe nga ana tjetër një gjeneral. Njeri kishte post më të lartë, por ata flisnin si të barabartë. Çurçilli ishte i vendosur të shikonte zbarkimin nga një anije luftarake britanike pavarësisht nga këmbëngulja e babait se Çurçilli ishte tepër i vlefshëm për të rrezikuar jetën. Por ai kundërshtoi. Babai im e zgjidhi këtë mosmarrëveshje duke shkuar tek mbretëresha e Anglisë dhe i kërkoi asaj ndihmë për të bindur kryeministrin britanik që të mos merrte pjesë gjatë kësaj fushate luftarake,” thotë autori Xhon Aizenhauer.

Duait Aizenhauer punoi si president i Universitetit të Kolumbias dhe më pas si president i Shteteve të Bashkuara. Xhoni, djali i tij, mendon se ajo që spikat më shumë në karrierën e tij, është karriera ushtarake. Xhoni thotë se kur Duait Aizenhauer fliste për njerëz të mëdhenj me të cilët kishte punuar dhe komunikuar, ata i përkisnin kohës së luftës dhe jo kohës që ai shërbeu si president i vendit. Xhoni mendon se vendi që zë i ati në histori i kushtohet pozitës dhe rolit të tij si gjeneral gjatë Luftës së Dytë Botërore. //ad//

XS
SM
MD
LG