Lidhje

Telekomi u ofron shkodranëve lidhje me internet - 2003-06-07


Të shtunën paradite u realizua në Shkodër lidhja me internet nga Telekomi. Është kjo ndërmarrja e dytë e rëndësishme e Telekomit Shqiptar, pas vendosjes, tre vite më parë, të lidhjes telefonike dixhitale me Ulqinin, në Mal të Zi.

Shtrirja e internetit në rajonin e Shkodrës lidhet edhe me politikat e reja të Telekomit shqiptar për liberalizimin e shpërndarjes së internetit për të gjithë abonentët,përfshire ata familjarë,privatë dhe shtetërorë.

Drejtori i Telekomit Shkodër, Surri Rexhimi, tha sot përpara gazetarëve se Telekomi shqiptar synon një përdorim sa më të gjërë të internetit, duke hequr kështu edhe tarifat financiare për shfrytëzimin e tij.

“Sipas premtimit të drejtorisë së përgjithshme te Telekomit Shqiptar, ka qenë që edhe në Shkodër, në gjashtë mujorin e parë te vitit 2003 do të ishte e realizuar lidhja me internet, gjë që u realizua në ditën e sotme. Dhe faktikisht, dje mora konfirmimin nga drejtoria e përgjithshme që të gjithë abonentët janë të lirë që te hyjnë në internet.Për këtë kemi marrë edhe udhëzimin se si çdo abonent të futet në internet.Tarifa, kuptohet që ështe teper e ulët dhe vetëm për numrin e telefonit të shtëpisë. Kjo besoj se do të gjejë mjaft përqafim pasi sot kërkesa është shumë e madhe për postën elektronike,” tha zoti Rexhimi.

Kohët e fundit, vendet e rajonit te Ballkanit, mes të cilëve edhe Shqipëria, kanë bashkërenduar përpjekjet për liberalizimin e shfrytëzimit te internetit, duke nxitur kështu gjithnjë e më shumë komunikimin e lirë dhe të shpejtë të shtetasve të tyre.

Gjatë tre viteve të fundit edhe studentët shqiptarë, mes të cilëve edhe ata te Universitetit te Shkodrës, mes kërkesave të vazhdueshme drejtuar qeverisë shqiptare, kanë patur edhe kërkesën për vendosjen e lidhjes së internetit në mjediset e tyre universitare. //ad//

XS
SM
MD
LG