Lidhje

Sa objektiv është shtypi amerikan dhe sa mund të ndikojë lehtësimi i kufizimeve mbi pronësinë e mjeteve të shtypit? - 2003-06-08


Para pak ditësh, zyrtarët amerikanë lehtësuan kufizimet mbi pronësinë e mjeteve të shtypit, duke u dhënë mundësi kompanive të zgjerojnë kontrollin e tyre mbi lloje të ndryshme të mjeteve të informimit. Kundërshtarët e këtyre ndryshimeve shqetësohen se rregullat e reja mund të çojnë në kontrollin e lajmeve dhe të opinionit nga një numër kompanish të mëdha. Për shumë kritikë rregullat e reja pritet që të ndikojnë vetëm në shtimin e debatit mbi anshmërinë e shtypit këtu në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një studimi i Qendrës Pew, besimi i publikut në shtypin amerikan po bie dhe afro 60 për qind e amerikanëve mendojnë se mjetet e shtypit mbajnë anën e një force të caktuar politike.

Ngrihet pyetja: a mungon objektiviteti i shtypit dhe nëse kjo është e vërtetë, çfarë nënkupton një gjë e tillë për dëgjuesit dhe lexuesit e lajmeve.

Eric Alterman, gazetar i revistës The Nation, thekson se megjithëse shtypi amerikan shikohet si model në vendet e reja demokratike, akuzat e ngritura për mungesë objektiviteti duhen marrë seriozisht: ”Shtypi ynë konsiderohet si model në botë, pjesërisht pasi në shumë vende nuk ekziston tradita e lirisë së shtypit. Ne kemi një traditë të gjatë në këtë drejtim dhe përvoja jonë mund të shërbejë për ata që duan të mësojnë mbi betejat që kaluam për të arritur deri këtu. Një tjetër arsye është se njerëzit nuk po e shqyrtojnë me kujdes shtypin tonë dhe të vërejnë se ka një numër problemesh. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe kauzës sonë dhe trumpetojmë parimet pa i hedhur një vështrim të hollësishëm realitetit”.

Ndërkaq, Drejtori i grupit të pavarur Politika dhe Komunikimi i Saktë në Media, Kliff Kinkaid, thekson se disa nga parimet mbi të cilat mbështetet gazetaria në Shtetet e Bashkuara janë burim pasaktësish dhe njëanshmërie: ”Mendohet se shtypi amerikan funksionon në bazë të standarteve më të larta. Por kur studioja gazetari në universitet, tekstet shkollore flisnin për “raportim interpretativ”. Kjo është një formë e raportimit të njëanshëm. Konservatorë si unë nuk pranohen në organet kryesore të shtypit në këtë vend. Tani që ndodhi skandali në gazetën Nju Jork Taims po shohim se sa liberale janë disa organe kryesore të shtypit dhe se si parime, të tilla si larmia e personelit, kanë viktimizuar saktësinë e raportimit në këtë gazetë”.

Zoti Alterman është i një mendimi krejt të kundërt. Ai thotë se që në fillim të viteve ’80, konservatorët kanë investuar miliona dollarë për të ngritur shtypin e tyre konservator. ”Kjo ka sjellë, vazhdon ai, ekzistencën aktualisht të një debati politik me dy pole të kundërta në shtypin amerikan”.

Zoti Alterman shton se, me gjithë opinionet liberale që pasqyrohen në artikujt redaksionalë të gazetës Nju Jork Taims, në këtë organ ka edhe gazetarë konservatorë. Ndërkohë, shton ai, në shtypin konservator nuk gjen gazetarë liberalë.

Zoti Kinkaid kundërpërgjigjet duke theksuar se politikat liberale të gazetës Nju Jork Taims janë bërë në disa raste pengesë e raportimit me objektivitet të ngjarjeve, si në rastin e debatit për pranimin e një femre në një klub golfi për meshkuj. Zoti Kinkaid shpjegon se gazeta ndaloi botimin e artikujve që binin në kundërshtim me qëndrimin e artikujve redaksionalë.

Zoti Alterman pohon se skandali në gazetën Nju Jork Taims ishte goditje e rëndë jo vetëm për këtë organ, por edhe për politikën e favorizimit të pakicave racore: ”Me çështjen e gazetarit Bler, gazeta Nju Jork Taims u ka siguruar një fitore të rëndësishme kundërshtarëve të politikave për favorizimin e pakicave. Nuk e di nëse një gjë e tillë ka baza reale. Zoti Kinkaid po flet për synimet e personave të ndryshëm, gjë që ai nuk e di me saktësi”.

Zoti Alterman shtoi më pas se asgjë nuk është e prerë qartë në realitetin tonë, prandaj duhet që gazetari të ofrojë sa më shumë informacion për lexuesin, në mënyrë që ai t’i nxjerrë vetë përfundimet e tij: ”Realiteti është i diskutueshëm. Zoti Kinkaid dhe unë kemi mendime krejt të ndryshme për politikat e favorizimit të pakicave, funksionimin e tyre dhe vlerat e tyre për shoqërinë. Është e pamundur të flitet për të vërtetën dhe realitetin objektiv. Gazetari duhet të kuptojë kontekstin e gjerë të ngjarjeve që mbulon, në mënyrë që raporti i tij të ketë informacione shpjeguese që ta ndihmojnë lexuesin të kuptojë çështjet”.

Ndërkaq, Kliff Kinkaid thekson se demokracitë e reja që janë në fillimet e traditës së shtypit të lirë duhet ta shikojnë shtypin amerikan me të njëjtin sy siç e gjykon publiku amerikan. ”I gjithë shtypi, qoftë revista Nation, për të cilën punon zoti Alterman apo gazeta Nju Jork Taims kanë një farë synimi, në se mund të shprehem kështu, dhe raportimi i paanshëm është i pamundur. Prandaj lexuesi duhet të jetë gjithmonë skeptik dhe të kërkojë burime të ndryshme informacioni”.

Ai përfundon se lexuesi vetë duhet të kërkojë përgjigje për dilemat e tij, për shembull të pyesë qeverinë se ku janë armët irakiane të shkatërrimit në masë, përse nuk janë zbuluar ende. Këtë qëndrim kërkues thotë ai, publiku duhet ta ketë si me qeverinë, ashtu edhe me korporatat kryesore dhe me vetë shtypin. //az//

XS
SM
MD
LG