Lidhje

Greqia pranon t’i kthejë Shqipërisë vepra arkeologjike të grabitura - 2003-06-09


Zyrtarët shqiptarë të Ministrisë se Kulturës thonë se Greqia ka pranuar të kthejë në Shqipëri pesë monumente arkeologjike të grabitura në qytetin antik të Butrintit. Ekspertët shqiptarë dhe ata grekë kanë ballafaquar pak ditë më parë informacionet për objektet që pala shqiptare i ka vlerësuar si autentike dhe të grabitura gjatë trazirave të 1997 në Muzeun Arkeologjik në Butrint.

Drejtori i Departamentit Arkeologjik të Sarandës Dhimitër Çondi, një nga pjesëtarët në delegacionin shqiptar të ekspertëve i tha Zërit të Amerikës se gjatë takimeve në tre qytete greke Athinë, Pire dhe Janinë janë vlerësuar 5 objektet arkeologjike mbi bazë edhe të informacioneve të Interpolit, të shtypit grek dhe të një dosjeje të plotë që është paraqitur për to nga pala shqiptare.

Dy nga pesë monumentet që pritet të riatdhesohen brenda këtij muaji sipas zotit Çondi i përkasin shtratit të Artemisës dhe Apollonit ndërsa tre monumente të tjera janë koka femrash të hyjnive antike.

Drejtori i departamentit të arekologjisëe së Sarandës Dhimitër Çondi thotë se janë të paktën edhe dy monumente të tjera arkeologjike të gjetura në Greqi . Edhe për to do të kërkohet riatdhesimin. Ndër objektet arkeologjike të humbura dhe me mjaft vlera konsiderohet shtatorja e Aleksandrit të Maqedonisë, Koka e Zeusit dhe Shtatorja e Apollonit të cilat janë që të gjitha të grabitura në Butrint.

Pak kohë më parë një tjetër monument arkeologjik, portreti i hyjnisë romake Livia u riatdhesua nga Shtetet e Bashuara të Amerikës. Riatdhesimi i këtyre monumenteve shihet me mjaft rëndësi nga specialistët shqiptarë për t’i rikthyer kulturës shqiptare vlerat që janë grabitur dhe shitur për qëllime trafikimi ne vendet fqinje por edhe më gjerë.

Shqipëria ka nënshkruar një konventë mbi mjetet e parandalimit, ndalimit dhe eksportimit të paligjshem të objekteve pasuri kulturore ndërkohe që pak kohë më parë hyri në fuqi edhe një ligj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike i miratuar nga parlamenti shqiptar.

Zyrtarët e Mbrojtjes së Monumenteve po i bëjnë thirrje edhe organeve te drejtësisë të përfshihen në hetimin dhe ndëshkimin e këtij trafiku i cili ka pasur përmasa në periudhat e krizave të rënda që ka kaluar Shqipëria këto dhjetë vitet e fundit. //kk//

XS
SM
MD
LG